Për anshmëri profesionale e favorizim në raportim për Partinë Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore, po akuzohet Televizioni Publik.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka kritikuar mediumin publik duke thënë se pavarësia editoriale e Transmetuesit Publik është e garantuar me ligj dhe nuk guxon të cenohet.
“Transmetuesi Publik assesi nuk duhet të jetë palë, e mos të flasim të japë konstatime duke favorizuar njërën palë e nënçmuar palët tjera, siç ndodhi në ueb-faqen e RTK-së, ku u tha së të gjitha partitë, përveç PDK-së, kanë pasur pozicione kundërshtuese ndaj SHBA-së”, ka thënë Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
Nga Lëvizja FOL, thonë se RTK, si medium publik, assesi nuk do të duhej të anonte për ndonjë subjekt politik, derisa kanë kërkuar monitorim dhe masa nga KPM-ja.
Megjithatë, nga Komisioni i Pavarur për Media thonë se deri tash gjatë monitorimit nuk kanë vërejtur se RTK-ja gjatë raportimit të fushatës zgjedhore i ka dhënë më shumë hapësirë PDK-së.
Kryeshefi ekzekutiv, Luan Latifi, thotë se kanë qenë gjatë 24 orëve duke monitoruar jo vetëm RTK-në, por edhe mediumet tjera.
Në anën tjetër, drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i kontaktuar nga KTV-ja për të marrë një qëndrim lidhur me këtë, ka kërkuar nga televizioni referim te statusi i tij në Facebook, ku ndër të tjerash ka thënë se nuk ekziston asnjë anshmëri ndaj asnjë subjekti politik, duke i quajtur presion politik akuzat e tilla ndaj RTK-së.
Mediat obligohen në bazë të Ligjit për Zgjedhje që t’u sigurojnë të gjitha subjekteve politike të certifikuara qasje të drejtë dhe të paanshme në programe dhe debate.
Për shkelje të kodit të mirësjelljes dhe shkeljeve të tjera, sipas Ligjit të KPM-së, mediat mund të dënohen me gjobë prej 1 mijë deri në 100 mijë euro.