Arbëri

Rrustemi: Progresi në Kosovë, më i lartë sesa që u evidentua në Raportin e Progresit

Adnan Rrustemi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se progresi në Kosovë në vitin 2022 ka qenë më i lartë sesa që është evidentuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Sipas tij, ky raport është më i mirë sesa kurdo herë për Kosovën e madje edhe më i mirë në krahasim me vendet tjera të Ballkanit perëndimor.

“Në njërën anë, kuptohet që Raporti i Progresit ka edhe një dimension, edhe për nga natyra, të një formati teknik burokratik e që evidenton një proces mbase të progresit gradual e që për bindjen time sado që evidenton progresin gjatë këtij viti raportues, unë mendoj që progresi në Kosovë ka qenë më i lartë sesa që është evidentuar në këtë raport”, ka thënë ai në “Java sonte me Rronin” në KTV të premten.

Sipas Rrustemit, për herë të parë është thënë se nuk ka ndikim politik në sistem të drejtësisë, në RTK, ATK, apo institucione e agjenci të pavarura.

Në Raportin e Progresit është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar se duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.