Arbëri

Rrustem Tetaj nis dëshminë në Speciale

Rrustem Tetaj

Rrustem Tetaj ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Ai është dëshmitar i ZPS-së, derisa ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.

Prokurori i ZPS-së, Nathan Quick, ka deklaruar se dëshmitari ka mbajtur pozita të ndryshme në Zonën Operative të Dukagjinit.

“Dëshmitari ka mbajtur pozita të ndryshme në Zonën Operative të Dukagjini në verën e vitit 1998, përfshirë edhe në shtabin e komandës së zonës dhe në zonën e Prapaqanit. Ka dijeni për përpjekjen e disa anëtarëve të caktuar të UÇK-së për t’i vënë nën shënjestër personat që konsideroheshin si kundërshtarë politik, përfshirë edhe personat e lidhur me LDK-në dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe kolaboracionistëve të tjerë të pretenduar”, ka deklaruar ai.

Një ditë më parë, në Speciale ka dëshmuar ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imer Imeri. Ai ka thënë se ishte torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së dhe ishte mbajtur i lidhur.


Vazhdon procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së me dëshmitarin tjetër të Prokurorisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot, e martë, do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjykimi do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.

Një ditë më parë, në dëshminë e tij, ish-pjesëtari i LDK-së, Imer Imeri, ka thënë se gjatë kohës së luftës ishte ndaluar e keqtrajtuar në Kosovë dhe Shqipëri, sipas tij, prej pjesëtarëve të UÇK-së. Ai ka thënë se ajo që e ka shtyrë të dëshmojë në këtë gjykim ishte padrejtësia që ndien për vrasjen e vëllait Haki Imeri dhe moszbardhjen e rastit. 

Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Shumica e viktimave, sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të qartë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë, e jo civilët.