Analisti politik Xhavit Drenori ka thënë se në Kosovë ka përfunduar koha kur partia e tretë apo e katërt në rezultatin zgjedhor të marrë postin e kryeministrit.
Në debatin në “Konfront” të KTV-së të enjten, Drenori ka deklaruar se zgjidhja e vetme është që fituesi ta bëjë Qeverinë.
“U diskutua për të drejtën se kush duhet ta bëjë qeverinë. Janë mbajt zgjedhjet pikërisht për këtë punë më 9 shkurt dhe shumica e ka ngritur një subjekt me distancë jashtëzakonisht të madhe me subjekte të tjera dhe nëse flasim me legjitimitet është e qartë kush ka. Asnjë tendencë s’ka qenë që VV-ja po ankohet se dikush po tenton të na vjedhë fitoren. Madje janë shumë të relaksuar. Sepse edhe pa dashtë me e thirr askënd në telefon, një subjekt iu afrua dhe i tha jam në gjendje të diskutoj. Partitë tjera s’janë të gatshme të bëjnë një formë blloku”, ka thënë ai.
Drenori ka thënë se LDK-ja, e cila si e treta ka kushtëzuar opozitën me post të kryeministrit, ka dalë në zgjedhje me rezultat “jashtëzakonisht jo të mirë për ta”.
“Kryetarit Lumir Abdixhiku s’i dalë matematika dhe reforma brenda subjektit politik sepse në 10-shen e parë u votuan shumë njerëz nga e kaluara që realisht është munduar të mos i lërë. Çka mund të quhet reformë kur qytetari i tregoi se këta njerëz janë të mirë e duhet të jenë aty. E dyta që i doli në publik, ishte vjedhja e brendshme e votave. Kjo i ka bë edhe një goditje tjetër. Abdixhiku s’është absolutisht i gatshëm edhe t’ia japë kryeministrin dikush. Ka shkuar koha që partia e tretë e katërt kryeministrin ta marrë. S’jemi në atë stad të demokracisë së paetabluar që të bëjmë eksperimente për hatër të tij apo këtij. S’bëhet për hatër. Bëhet me votë të qytetarëve. Deshëm apo s’deshëm duhet të pajtohemi me këto. Një kohë ka qenë Ibrahim Rugova, një kohë Hashim Thaçi, sot e ka kohën e tij Albin Kurti”, ka thënë ai.
Sadiku: Kurti të mendojë - më mirë të bëjë Qeveri të pakicës apo të shkojë në opozitë
Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se aktualisht kryeministri në largim, Albin Kurti, mund ta kalkulojë fatin e tij politik nëse është më mirë ta formojë një Qeveri të pakicës apo të shkojë në opozitë.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Sadiku ka deklaruar se në zgjedhjet e 9 shkurtit asnjërës nga partitë politike nuk i kanë dalë matematikat aq sa kanë pritur para zgjedhjeve.
“Asnjërës nga partitë nuk i kanë dalë matematikat aq sa i kanë pritur para zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje pati thënë se kjo është referendum dhe do t’i marrim 500 mijë vota, mirëpo ato u panë që janë -8 për qind apo 10 deputetë më pak, as partive të opozitës nuk iu kanë dalë matematika të caktuara dhe sigurisht kjo formulë matematikore që e kanë të gjitha partitë politike më tepër e ka sjell Kosovën në një udhëkryq politik sesa që ka ofruar një zgjidhje... Z.Kurti mendoj se aktualisht mund ta kalkulojë fatin e tij politik nëse është më mirë ta bëj një Qeveri të pakicës apo të shkojë të opozitë për një kohë të caktuar dhe t’ua lë partive të opozitës që ta formojnë një qeveri”, ka thënë ai.
Sadiku ka shtuar se kushdo që do ta marrë postin e kryeministrit nuk do ta ketë të lehtë për disa procese, vecanërisht për dialogun me Serbinë.
“E dyta mendoj se procesi ndërkombëtar që po e kalon Kosova, veçanërisht dialogu, nuk do të jetë i lehtë për këdo që do të jetë kryeministër dhe natyrisht që kjo është një prej arsyeve shtesë që presin me komoditet t’i marrin votat, të shohin sa deputetë dhe pastaj të ulen e të shohin a duan të shkojnë në zgjedhje të reja apo duan të formojnë qeveri”, është shprehur ai.
Plaka: Kosova është shembull i mirë për t'u marrë nga Shqipëria
Analisti politik, Arman Plaka, ka deklaruar se Kosova është shembull i mirë që Shqipëria mund ta marrë për procesin zgjedhor, që do të mbahet më 11 maj
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se është diskutuar edhe përfshirja e diasporës në zgjedhje, pasi sipas tij, kjo ka qenë kërkesë e hershme e diasporës shqiptare.
“Çdo gjë është fshehur mbi probleme teknike, derisa palët u dakorduan dhe diskutimi ka qenë i ndezur deri para dy javësh. Në 2-3 ditë pati diskutime mbi listat zgjedhore...listat e hapura ose të mbyllura dhe fare s’u diskutua tema e diasporës në zgjedhje, pavarësisht se është përfshirë. Me thënë të drejtën duhet të themi që Kosova është shembull i mirë për t’u marrë nga Shqipëria”, ka deklaruar Plaka.
Krasniqi: S'është e vërtetë që s'kemi fakte se LDK-ja ka vjedhur vota
Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se nuk është e vërtetë që nuk ka fakte se Lidhja Demokratike e Kosovës ka vjedhur vota.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se vetëm në një kuti në Vushtrri janë vjedhur 248 vota.
“Është e pavërtetë që mungojnë faktet. Ato çfarë shihen, diçka që shihet kallauz nuk do thotë populli. Nuk është e vërtetë që nuk kemi fakte që vërtetojnë se LDK-ja nuk ka vjedhur. Vetëm një kuti është numëruar me vota, ajo i përket Vushtrrisë dhe a e dini se çfarë ka ndodhur në atë kuti. Ka ndodhur që janë vjedhur 248 vota, është tjetërsuar. Kjo e ka emrin hajni. Në këtë kuti i janë vjedhur 41 kandidatëve të LDK-së 248 vota. Janë 51 kandidatë të LDK-së që vetëm brenda një kutie kanë përfituar prej votës së vjedhur, i pari e dimë se është z.Tahiri, i treti nga numri i votave është z.Abdixhiku. Nëse hapen kutitë tjera do ta shihni rezultatin çka do të prodhojë”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për manipulimet me votat e diasporës, Krasniqi ka thënë se nuk ka logjikë që të mos ketë trend të përafërt të votave nëpër ambasada apo konsullata me votat me postë.
“Sa i përket votave të diasporës, do të duhej të kishte një trend të përafërt nëse jo të njëjtë vota që jepet nëpër ambasada apo konsullata, vota që shkon me postë dhe kjo vota që është numëruar e fletëvotimeve që janë shpallur të pavlefshme. Kjo është logjika, nuk mund të ketë tjetër rezultat në ambasada e konsullata e tjetër rezultat ajo me postë sepse është e njëjta trupë elektorale”, është shprehur Krasniqi.
Rrusta: Kur flasin për manipulimet eventuale është tentuar të kursehet LDK-ja
Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se ka pasur tentativë për ta kursyer Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në dyshimet për manipulim të votave nga diaspora.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se partitë e tjera duke tentuar ta dërgojnë Lëvizjen Vetëvendosje në opozitë, s’kanë kursyer mjete të tilla si të manipulimit.
“Është tentuar të kursehet LDK-ja kur bëhet fjalë për manipulime eventuale. Këtu në mesin tonë është përvjedhur një mënyrë që vetëm fakti që duan VV-në në opozitë, s’kanë kursyer as mjetet e tilla. Manipulimi është manipulim e ajo është e ndëshkueshme nga kushdo që ndodh”, ka thënë ajo.
Sipas Rrustës, mënyra më e mirë për beteja politike është forma demokratike.
“...e jo të falet dikush nëse tenton ta mundë VV-në me metoda antidemokratike. S’po them që LDK-ja ka manipuluar, por e kam hasur një tendencë të zvogëlohet kritika ndaj manipulimit të mundshëm që ka mundur LDK-ja ta bëjë me votat e diasporës. Kjo duhet të kritikohet”, ka shtuar ajo.