Ka disa ditë që një pjesë e rrugës “Brigada e Lirisë”, që të çon në fshatin Keqekollë, është asfaltuar.
Një pjesë e kësaj rruge ishte shtruar vite me parë, përderisa pjesa e asfaltuar tani nuk e mbulon krejt rrugën.
Kanë mbetur edhe rreth 1.5 kilometra të kësaj rruge pa u asfaltuar.
E, sipas banorëve, është pikërisht kjo pjesë e cila ka më së shumti nevojë.
Për shkak të pjerrtësisë që ka, rruga që të çon deri tek shtëpitë e vetme të fshatit Keqekollë është shumë e vështirë për t’u kaluar.
Vështirësitë më të mëdha bëhen gjatë reshjeve të shiut dhe borës.
Probleme të mëdha janë për vetë Gazmend Hajrizin, i cili këtë rrugë e kalon të paktën 6 herë në ditë.
Për shkak se ai ka një fermë në fshat, çdo ditë i bie të kalojë këtë rrugë për ta shitur qumështin.
Ai kërkon nga Komuna e Prishtinës që të vazhdojnë asfaltimin edhe në këtë pjesë të mbetur të rrugës.
Ndërsa, Habib Emini thotë se po të ishte rruga e asfaltuar ai nuk do të largohej nga fshati së bashku me familjen e tij.
Nga Komuna e Prishtinës thonë se për këtë vit ka qenë në buxhetim vetëm një pjesë e rrugës për asfaltim.
Sipas drejtorit për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, vitin e ardhshëm pritet që pjesa e mbetur të shtrohet me zhavorr.
Në këtë mënyrë do t’u bëhet zgjidhja të gjitha rrugëve të fshatrave të Komunës së Prishtinës.
Kjo do të jetë një zgjidhje afatgjate për rrugët e fshatrave.
60 për qind e këtyre mjeteve do të shkojnë për zhavorrimin e rrugëve të fshatrave të Gollakut, ndërsa 40 për qind për fshatrat e tjera të Prishtinës.