Arbëri

Rrugë për Abdixhikun

Disa banorë të rrugës “Shahin Kolonja” në kryeqytet kanë akuzuar Komunën e Prishtinës për shpronësime të disa parcelave private pa i njoftuar ata e pa u lënë mundësi për ankesë. Njëri nga banorët tha se Komuna po synon të ndërtojë një rrugë që kalon nga oborri i familjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, trualli i kësaj familjeje nuk ka qasje në asnjë rrugë

Një pjesë e oborrit mbrapa shtëpisë së Naim Simnicës dhe familjarëve të tij është nga parcelat në rrugën “Shahin Kolonja”, që një muaj më parë Komuna e Prishtinës ka marrë vendim t’i shpronësojë me qëllim për të ndërtuar infrastrukturë rrugore.

Përveç oborrit me sipërfaqe prej 198 metrash katrorë, ky banor tha se në shpronësim përfshihet edhe rruga private që i lidh këto shtëpi e që është në emër të babait të tij. Sipas Simnicës, e gjithë kjo u bë pa i njoftuar banorët.

Vendimi është i nënshkruar nga kryetari Përparim Rama e Simnica tha se ky projekt po tentohet të bëhet për t’ia çuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, rrugën te shtëpia. Sipas tij, trualli i familjes Abdixhiku nuk ka dalje në asnjë rrugë. 

“Ky është interes personal i katër-pesë vetave, të cilët sot janë në pushtet e një ndër ta është Lumir Abdixhiku, i cili e ka shtëpinë, e kam komshi dhe ai nuk ka rrugë. Edhe ai thotë: Me shku për trollin tim. Me shku deri te shtëpia e tyre. Do të thotë me ua mundësu, me ua bo rrugën deri në trollin e tyre, nëpër troll tem me kalu... (Komuna) herë thotë është interes nacional, herë thotë është interes komunal. Po ne nuk e dimë tash sa mundet me kanë interes, nacional hiç se hiç, po as komunal, përderisa kalon nëpër trull tem edhe shkon te katër-pesë shtëpi edhe përfundon qaty, do të thotë jetë rrugë qorre”, ka thënë Simnica.

Ai theksoi se iu pamundësua parashtrimi i ankesës kur vendimi ishte në fazën preliminare. E, vendimin përfundimtar e pranoi në pliko.

Në vendimin përfundimtar të 11 nëntorit, thuhet se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Themelore brenda 30 ditësh por, sipas tij, pa kaluar ky afat, zyrtarë komunalë të shoqëruar edhe nga policët, dy herë dolën në vend të ngjarjes.

Këtë e dokumenton me foto e pamje amatore. 

“Unë vendimin përfundimtar e kam pasë, qysh thojnë një fjalë popullore, të gatum... Të gjitha afatet thonë që ti ke të drejtë 30 ditë, ai mu më vjen që dy herë brenda dhjetë dite... Me datën 12, do të thotë nesërmen mu më kanë ardhë, tash s’po muj me ditë saktë, veç me siguri nja 20 vetë edhe çfarë është më skandaloze, më kanë ardhë edhe me bager”, ka thënë Simnica.

KOHA ka pyetur në Komunën e Prishtinës lidhur me pretendimet e banorit dhe se pse ky vendim përfundimtar i datës 11 nëntor ende nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare, ndonëse Drejtoria e Pronës obligohet ta bëjë këtë brenda një afati prej dhjetë ditësh pas miratimit. Por, në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje në asnjërën prej pyetjeve të drejtuara që nga data 22 nëntor.

E një tjetër banor i lagjes tha se me ndërtimin e rrugës së re do të dëmtohet infrastruktura aktuale rrugore. Siç tha ai, pos vullnetit të banorëve, nuk janë respektuar as afatet.

“Pa pritur afat ankese apo çka di, ka ardhë ekipi me ekskavator për fillimin e punimeve. Faktikisht kanë dashtë të fillojnë pikërisht me prishjen e kësaj rruge dhe pamundësimin e qasjes familjeve, pesë familjeve që jemi këtu. I kemi pyetur si do të bëhet? Do të bëhet mirë, projekt për këtë investim, për këtë projekt-ekzekutiv nuk ekziston. Ata vazhdimisht thonë: Do të bohet mirë. Mirëpo, në aspektin teknik, qasja e një rruge të re në këtë rrugë është e pamundur pa e pamundësuar qasjen e pesë familjeve të tjera të kësaj rruge”, ka thënë Nysret Simnica.

E banori Naim Simnica shprehet i shqetësuar me këtë projekt të Komunës së Prishtinës, i cili thotë se ia cenon edhe sigurinë në pronën e tij.

“Mua ma pamundësojnë edhe jetesën këtu, do të thotë mua edhe këto dritare, këto edhe nëse nuk m’i mbyllë krejt, se mua po më vjen pothuajse një metër dritare, se unë ato dritare kam me i bo me grila, domethënë me hekura, se nuk kam me guxu më me nejtë shlirë ose me fjetë shlirë në shpi tem”, ka shprehur brengën ai.

Pos nga Komuna, as kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dikur banor i kësaj lagjeje, nuk është përgjigjur në thirrjet e as mesazhet e KOHËS për këtë çështje.