Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, që ishte e mbyllur për qarkullimin e veturave që nga fundi i nëntorit, do të rihapet të premten. Në të do të lejohet vetëm qarkullimi i autobusëve dhe i taksive. E për këtë qëllim, autoritetet komunale punuan gjatë ditës në sinjalizimin dhe sinkronizimin e semaforëve
Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë pritet që prej të premtes të rihapet për qarkullim, por vetëm për autobusë dhe taksi, njoftoi drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.
Rruga ishte mbyllur që prej 26 nëntorit, me qëllim të shërbimit si shesh për organizimin e aktiviteteve të ndryshme për festat e fundvitit.
Disa nga qytetarët e kryeqytetit të enjten u shprehën kundër rifunksionalizimit të rrugës për automjete.
“S’ka paraqit aspak problem. Prishtina ka pasë nevojë për sheshe, sidomos për Vitin e Ri, të fundvitit, e këto festat shumë u kanë konvenuar qytetarëve se kanë pasë ku me dalë”, ka thënë një qytetar.
“Për shkak të këmbësorëve shumë më mirë është. E tash komplikimi i komunikacionit sa është nuk mundem me e ditë”, ka theksuar një tjetër.
E disa qytetarë të tjerë e kualifikuan me rezultat të pakënaqshëm mbylljen e rrugës që shpie nga katedralja “Nënë Tereza” deri te hotel “Grandi”.
“Disa teste që janë bërë me këto mbylljet e rrugëve faktikisht nuk kanë dhënë rezultat. Edhe me këtë mundemi me testu, po veç besoj që do të ketë kolona më të gjata të automjeteve dhe mjeteve të tjera”, ka thënë një qytetar.
Me qëllim të rifunksionalizimit të pjesshëm të komunikacionit, autoritetet komunale, në bashkëpunim me ekspertin e komunikacionit, Bekim Ahmeti, punuan gjatë ditës në shenjëzimin dhe në sinkronizimin e semaforëve në këtë rrugë.