Pagesa për punë të papërfunduara në rrugën që lidh Pejën me Kuqishtën e Çakorrin ka konstatuar një komision i Ministrisë së Infrastrukturës. Përveç vonesës në zbatimin e kontratës 650 mijë euroshe, vërejtjet i referohen edhe cilësisë së punëve. Ekipi i KOHËS ka vizituar punimet në rrugën, për të cilën Ministria ka dorëzuar lëndën në Prokurori. Kompania e përzgjedhur për këtë projekt është “Sallahu”, që Komuna e Prishtinës e kontraktoi për rrugën “A”. Nga kjo kompani i quajtën të rreme gjetjet e Komisionit
Dhjetorin e 2021-tës u nënshkrua kontratë 650 mijë euroshe për sanimin e rrugës Pejë-Kuqishtë-Çakorr. Një pjesë e parave iu paguan operatorit, pa përfunduar kontrata për sanimin e një hapësire prej tri kilometrash në rrugën 22-kilometërshe.
Kompania fituese e kontratës është “Sallahu SHPK”. Emri i kësaj kompanie është aktualizuar ditëve të fundit, shkaku që shkalla e parë e Gjykatës Komerciale e pezulloi kontratën që ajo e fitoi nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e rrugës “A”.
Ekipi i KOHËS ka parë nga afër gjendjen e rrugës.
Kontrata e protokolluar më 29 dhjetor të 2021-tës parasheh afatin e përfundimit të punëve për 175 ditë, e ato nuk janë finalizuar as pas afro 600 ditësh.
Deri në gusht, nga Ministria e Infrastrukturës u paguan afro 231 mijë euro, mbështetur në faturat e dorëzuara nga kompania “Sallahu”. E komisioni vlerësues, i angazhuar nga Ministria, në raportin e përgatitur po në gusht të sivjetmë, konstatoi se vlera reale e punëve të kryera arrin në 90 mijë euro.
“Sipas verifikimit (Situacioneve të Përkohshme të punës së bërë deri me datën 12.4.2023 nga menaxheri i kontratës, z. Nebi Luzha, janë paguar 231,996 euro, ndërsa punët faktike janë realizuar rreth 89,920 euro”, thuhet në një raport të ekspertëve.
Nga kompania “Sallahu” thanë për KOHËN se pjesët e arnimit i ka një kompani tjetër dhe se ato nuk ndërlidhen me kontratën e tyre.
Përveç arnimit të asfaltit në shumë pjesë të kësaj rruge, ka edhe pjesë të rindërtuara plotësisht. Megjithatë, ende pa përfunduar projekti shtresa e asfaltit ka nisur të shpërbëhet.
KOHA është informuar se Ministria e Infrastrukturës ka konstatuar që kompania ‘Sallahu’ ka faturuar shërbime e pozicione, të cilat fare nuk i ka përfunduar.
Fatura e parë e aprovuar nga menaxheri i kontratës u dorëzua më 5 maj të 2022-tës, me vlerë 166,691 mijë euro. Gati një vit më pas është paguar fatura tjetër.
E 11 muaj më vonë, me aprovimin e menaxherit të kontratës, u dorëzua për pagesë një faturë prej më se 60 mijë eurosh. Nga të dy faturat, për të cilat është bërë pagesa, Komisioni i Ministrisë konstatoi se janë tri pozicione që u faturuan si të përfunduara e që nuk kanë filluar fare.
“Gërmimi i dheut i kategorisë VI – VII, shpimin, minimin, thyerjen me ngarkim dhe bartje deri në deponi në largësi deri 10 kilometra... Janë faturuar sipas situacionit të datës 12.4.2023, 12, 944 metra katrorë, që me vlerë financiare i bie 53, 460 mijë euro vlera me TVSH, ndërsa në terren nuk është punuar asnjë metër katror e vetme”, thuhet në raportin e ekspertëve.
Rreth 50 mijë euro iu faturuan montimit të bordurave mbrojtëse, për të cilat raporti cek se nuk janë punuar.
KOHA mësoi se Ministria e Infrastrukturës e dorëzoi lëndën për hetim të mëtutjeshëm në Prokurorinë e Shtetit. Por pretendimet e ekipit profesional i hodhën poshtë nga kompania “Sallahu”, që thanë se problemet në projekt dolën, ngase Ministria nuk bëri raport dhe se paramasat i caktoi në mënyrë paushalle.
“Ne si kompani jemi përgjegjës vetëm për realizim sipas planifikimeve dhe specifikave të dhëna nga Autoriteti Kontraktues, ku theksojmë se për të gjitha pozicionet e realizuara të kompanisë sonë janë bërë analizat laboratorike nga Laboratori i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe të gjitha rezultatet e matjeve kanë qenë sipas specifikave dhe standardeve që kërkohen”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kompanisë “Sallahu”.
Në kompani thanë se janë punuar të gjitha pozicionet, për të cilat është bërë pagesa dhe se raporti i Ministrisë është bërë për t’i dëmtuar në tenderë të tjerë.
“Pra, një raport i urdhëruar nga zyrtarë të lartë dhe të Zyrës së Prokurimit me tendencë për të dëmtuar kompaninë ‘Sallahu Shpk’, si rezultat i ankesave, veçanërisht në projektin Prishtinë-Besi-Podujevë, e po ashtu edhe për faktin se në projektin i cili është në fazën e vlerësimit zgjerimi i rrugës nacionale Kijevë-Dollc, kemi dalë si OE i përgjegjshëm me çmimin ekonomikisht më të favorshëm”, thuhet në përgjigje.
E në Ministri u përgjigjën vetëm për Komisionin e vlerësimit, derisa nuk dhanë sqarim në dhjetëra pyetje të tjera rreth çështjes.
“Me vendim të sekretarit të përgjithshëm është caktuar Komisioni profesionale për vlerësimin e punëve të kryera në kuptim të sasive dhe cilësisë së punimeve për situacionet e certifikuara e për të cilat janë realizuar pagesat. Ky komision ka dorëzuar një raport me të gjitha gjetjet, e që nuk korrespondojnë pagesat e realizuara dhe punët në terren. Humbjet janë të cekura në raportin e komisionit”, thuhet në përgjigjen që ka dhënë Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Infrastrukturës.
Kompania “Sallahu”, krahas kontratës për rrugën “A” në Prishtinë, ka edhe të tjera histori përballjeje me drejtësinë e që lidhen me prokurimin publik me Ministrinë e Infrastrukturës.