Rruga transit në Shtime e ndërtuar më 2013, tash e pesë vjet po e vështirëson qarkullimin e automjeteve. Telashe më të mëdha po u shkakton kompanive transportuese, shoferët e të cilave janë të detyruar të kalojnë përgjatë këtij aksi rrugor, meqë nuk lejohen të kalojnë nëpër qendër. Në Komunën e Shtimes thonë se rruga do të rregullohet brenda këtij viti
Prej më shumë se pesë vjetësh rruga transit në Shtime me gjatësi 4.5 kilometra vazhdon të mbetet në gjendje të keqe.
Ajo po e vështirëson qarkullimin veçanërisht të automjeteve transportuese të cilat nuk kanë rrugë alternative.
Pronarët e kompanive janë ankuar se për çdo ditë po u shfaqen defekte në automjete shkaku i gropave.
“Për çdo ditë qarkullojmë dy apo tri herë, ndërkaq gropat po shihen, kemi defekte të mëdha çdo ditë, mandej policia dalin dhe na dënojnë sepse gomat po dëmtohen gjatë lëvizjes në këtë rrugë. Nuk ka çare pa u dëmtuar goma në këtë rrugë, ndërkaq ministria nuk merr masa, në anën tjetër paguajmë sigurime e çdo gjë tjetër”, ka thënë Mujadin Hasani, vozitës.
Për ndërtimin e kësaj rruge, në vitin 2013, nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës janë shpenzuar mbi 1.5 milionë euro, ndërkohë pak vjet më vonë ajo nisi të dëmtohej.
Automjetet transportuese nuk kanë të drejtë të kalojnë nëpër qendër të qytetit, andaj shoferët janë të detyruar ta përshkojnë rrugën e dëmtuar.
“Kjo rrugë ka mbetur prej pesë vjetësh dhe nuk është marrë asnjë iniciativë për këtë. Çdo ditë po kemi defekte e çdo ditë nuk kemi as kah të ikim. Nuk kemi të drejtë të kalojmë andej, por nëse hyjmë në qytet atëherë Policia na e marrin lejen e automjetit. S’kemi të drejtë hiç, sepse andej nuk na lejojnë të hyjmë”, deklaroi Riza Xhafaj, qytetar.
Në Komunën e Shtimes thonë se kanë marrë konfirmim se për rregullimin e kësaj rruge janë ndarë rreth 1.7 milionë euro dhe se projekti pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
“Është në procedurë të prokurimit dhe pritet shumë shpejt të përcaktohet operatori ekonomik dhe është çështje procedurale se kur mund të fillojë ky projekt. Kemi ankesa nga qytetarët, por shumica e tyre nuk e dinë se kjo është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe nuk është kompetencë e Komunës, por është rrugë që gjendet në territor të Komunës së Shtimes dhe për këtë arsyeje ne bashkëndiejmë me operatorët ekonomikë, por është çështje procedurale dhe krejt çka kemi bërë ne si komunë të dërgojmë kërkesa dhe është futur në buxhet të republikës”, ka deklaruar drejtor i Urbanizmit në Shtime, Grejtalb Emini.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS për këtë projekt.