“Kur ka reshje të mëdha shiu, nga një majë bjeshke mbi fshat nis të grumbullohet uji dhe të zbrazet në qendër të fshatit. Problemi është se kur bie shi e bart prej lart edhe baltë e zall, e po na e zbraz këtu në qendër e s’ke mundësi me kalua këndej me i pasë edhe çizmet deri në gjunjë”, tregon kryetari i fshatit Bogë, Xhemë Demaj
Pejë, 29 gusht – Ka pesë vjet që banorët e fshatit Bogë të Rugovës janë duke u përballë me rreziqet që po u sjell rruga e fshatit që shpie të varrezat e fshatit, që gjenden diku 500 metra lart në një kodrinë. Kjo rrugë sa herë që ka vërshime të mëdha shndërrohet si në një lumë dhe vërshon pastaj fshatin poshtë dhe bllokon rrugët. Kjo rrugë është e vetmja që shpie deri te varrezat dhe më herët ajo ka qenë vetëm një rrugë këmbësorësh. Me mundësitë e tyre, banorët e kishin hapur vetë para pesë vjetësh për ta lehtësuar qasjen më lehtë te varrezat. Dhe pasi e kishin hapur, siç tregon kryetari i fshatit Xhemë Demaj, Komuna u kishte premtuar se do ta ndërtojë dhe shtrojë rrugën.
“Kemi pasë premtime prej që e kemi hap rrugën. Jo sot e jo nesër, e deri sot s’ka asgjë”, thotë Demaj.
E meqenëse Komuna po zvarrit me realizimin e premtimit, kjo rrugë është shndërruar edhe në rrezik për banorët dhe pasurinë e tyre, sa herë që ka të reshura të mëdha.
Demaj tregon se kur ka reshje të mëdha të shiut, nga një majë bjeshke mbi fshat nis të grumbullohet uji, i cili rrjedh pastaj si një lumë i furishëm rrugës teposhtë buzë varrezave dhe zbrazet në qendër të fshatit.
“Problemi është se kur bie shi e bart prej lart baltë e zall, e po na e zbraz këtu në qendër e s’ke mundësi me kalua këndej me i pasë edhe çizmet deri në gjunjë, se s’mund kalon këndej”, tregon Demaj.
Derisa tregon disa fotografi për vërshimin e fundit që ka ndodhur muajin e kaluar, Demaj thotë se Komuna duhet sa më shpejt të intervenojë në atë rrugë. Në emër të banorëve ai kërkon që buzë rrugës duhet hapur kanalin akumulues të reshjeve atmosferik dhe rruga të ndërtohet e të shtrohet me asfalt apo kubëza.
“Me çka do qoftë të shtrohet vetëm të mos mbetet më kështu si është”, thotë Demaj.
Për këtë problem, ankesat e tyre banorët kryesisht ia kanë adresuar nënkryetarit të Komunës së Pejës, Fatmir Asllani, i cili tregoi se ka diskutuar me banorët për problemet që po u shkakton ajo rrugë, por ai nuk tregoi arsyen pse Komuna ende nuk e ka ndërtuar këtë rrugë.
“E kemi diskutuar edhe me banorët këtë problem. Komuna e ka dërguar një ekip për ta verifikuar gjendjen, por kur kanë dalë rruga ka qenë e vërshuar nga uji. Dhe ekipi nuk ka mund ta vlerësojë gjendjen dhe për të parë se çfarë duhet të punohet”, pohoi Asllani.
Ai tutje shtoi se Komuna do ta dërgojë sërish një ekip për ta verifikuar gjendjen dhe për të parë se çka duhet të punohet e të ndërtohet në të, dhe ky projekt pastaj, sipas tij, do të përfshihet në buxhet për vitin e ardhshëm.
“Ajo rrugë duhet të jetë në nivel edhe për kushtet klimatike gjatë dimrit. Po mendojmë ta bëjmë një zgjidhje të përhershme. Tash jemi në përpilim të buxhetit për vitin 2022. Po shpresoj që gjatë këtyre ditëve do të punohet një lloj paramase për atë rrugë në mënyrë që të bëhet një zgjidhje e mirëfilltë që edhe pasi që të ketë reshje, të mos ketë më telashe lidhur me qarkullimin e asaj rruge”, tha Asllani.
Për sivjet ndërtimi i saj nuk mund të realizohet pasi, sipas tij, sivjet janë në përfundim të kontratave për vitin 2020 dhe 2021.
“Dhe çka po planifikojmë për vitin 2022 njëra prej projekteve është edhe kjo rrugë, që planifikohet të përfshihet në buxhetin e vitit 2022”, pohoi Asllani. Zvarritja e ndërtimit të kësaj rruge, e cila përveçse po u fut ujë edhe nëpër shtëpi e biznese, njëkohësisht kur ka reshje edhe jo të mëdha po ua vështirëson banorëve edhe bartjen e kufomave deri te varrezat.