Arbëri

Rruga drejt 100 milionë eurove – Epoka e artë e kompanive të Radoiçiqit e Veselinoviqit

Veselinoviq vs Radoiçiq

Edhe pse ata dikur ishin subjekt i hetimeve serioze - dhe hetimi kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe vazhdon ende - tre miq të vjetër nga veriu i Kosovës janë bërë pjesë e elitës së re të biznesit serb. Ndërsa punojnë kryesisht në projekte shtetërore, fitimi neto i vetëm tri prej kompanive të tyre kanë është 104 milionë euro në pesë vjetët e fundit. Nën kontrollin e tyre, edhe kompanitë e bankrotuara bëhen fitimprurëse brenda natës

Vetëm tri kompanitë private të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, partneri i të cilëve deri në nëntor 2023 ishte Milan Radoiçiq, saktësisht deri në arrestimin e tyre pas sulmit në Banjskë, kanë realizuar fitim neto me mbi 12 miliardë dinarë apo 104 milionë euro për pronarët e tyre në pesë vjetët e fundit. Edhe pse të tre dikur ishin subjekt i hetimeve serioze, dhe hetimi kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Radoiçiq, ende vazhdon, tre miqtë nga veriu i Kosovës janë bërë pjesë e elitës së biznesit serb. Nën kontrollin e tyre, edhe kompanitë e bankrotuara bëhen fitimprurëse brenda natës, raportoi media serbe “Radar” sipas një studimi që ka kryer bazuar në raportet financiare në Agjencinë e Regjistrave Ekonomikë.

Fitimi më i madh neto prej rreth 74 milionë eurosh në periudhën nga viti 2019 deri më 2023 u arrit përmes kompanisë “Inkop” përmes së cilës ata blenë edhe dy kompani të mëdha ndërtimore, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka”.

Ndryshimi i strukturës së pronësisë që në të vërtetë nuk ndryshon asgjë

Në ndërkohë, Radoiçiqi transferoi 40 për qind të aksioneve në “Inkop” te vëllezërit Veselinoviq, 20 për qind secilit, kështu që Zvonko zyrtarisht është pronari më i madh me 60 për qind, ndërsa Zharko kontrollon 40 për qindëshin e mbetur. Ky ndryshim u regjistrua në tetor 2023, vetëm 11 ditë pas sulmit në Banjska, për të cilin Radoiçiqi mori përgjegjësinë dhe tri ditë pasi Policia e arrestoi e më pas u lirua. Megjithatë, fakti se Radoiçiqi zyrtarisht ia transferoi pronësinë miqve të vjetër nga veriu i Kosovës nuk është se nuk nënkupton asgjë, sepse pritet që ata të vazhdojnë të ndajnë përfitimin si përpara, barabartë.

Ngritja marramendëse në krahët e SNS-së dhe punëve të shtetit

Më interesante se përfitimi vetë është rritja e tij marramendëse që ndodhi që nga momenti që kompania bëri pronarët e rinj. Përpara se “Novi Pazar-put” të bëhej pjesë e perandorisë së biznesit të Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, pronarët e vjetër nuk mundën të arrinin ndonjë fitim të madh, pasi më 2019 fitimi neto ishte nën 180 mijë euro. Një vit më pas, në mes të pandemisë nën kontrollin e pronarëve të rinj “Novi Pazar-put” menaxhoi të rriste fitimin neto me 2,000 për qind, në më shumë se 5.8 milionë euro. Por, ishte vetëm fillimi pasi në vitin 2021 ajo kompani kishte fitim prej 10.1 milionë eurosh.

Ata kthyen një kompani të bankrotuar në një makinë parash brenda natës

Koha dhe tenderët publikë duket se funksionin përditë më shumë për “Betonjerkën”, anëtarja më e re në perandorinë e biznesit të tyre. Ajo siguroi më shumë se dy milionë euro fitim për pronarët e rinj në një kohë shumë të shkurtër, nga 2020-a e më tej. Në shikim të parë, kjo duket e vogël krahasuar me dhjetëra miliona euro të fituara nga “Inkopi” dhe “Novi Pazar-put”, por duhet pasur parasysh fakti se kompania para se të blihej nga tre partnerët, ishte në falimentim për vite dhe që nga viti 2015 deri në fund të 2019-s nuk pati asnjë të hyrë.

Dhe më pas erdhi në jetë brenda natës, sapo “Inkopi” u ble në shtator 2019. Sigurisht, kompania u transferua te pronarët e rinj pa borxhet e vjetra, sepse askush nuk donte ta blinte të tillë. Dhe deri në fund të atij viti “Betonjerka” arriti 11 milionë dinarë të hyra dhe fitim neto 4.8 milionë dinarë. Ata kështu korrën sukses në atë që biznesmenët më të suksesshëm të botës rrallë arrijnë sukses, që për çdo të hyrë në vlerë 100 euro kompanitë e tyre gjenerojnë 43.6 euro fitim neto.

Rritja e biznesit të Radoiçiqit e vëllezërve Veselinoviq përkoi me rritjen politike të SNS-së, dhe shpërtheu pas konsolidimit fiskal kur shteti hapi kuletën dhe filloi të investonte në projekte infrastrukturore. Veçanërisht, më 2016 dhe 2017 shpenzimet kapitale nga buxheti i Serbisë ishin pak më pak se një miliard euro, dhe në dy vitet e fundit u rritën në mbi 6.6 miliardë euro.

Një pjesë e parasë publike përfundoi në llogaritë private të Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq sepse kompanitë e tyre janë të përfshira në shumë projekte shtetërore.

Edhe pse deri tani nuk ka pasur asgjë që e ka ndaluar qeverinë serbe t’ua besojë punët fitimprurëse kompanive të njerëzve që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të pritet që të ketë më shumë punë për “Inkopin” dhe “Novi Pazar-put” edhe në të ardhmen, të paktën derisa SNS-ja është në pushtet.

Lidhjet politike

Presidenti Aleksandër Vuçiq është mburrur se më shumë autostrada do të ndërtohen gjatë kohës së tij se në kohët e qeverisë së kaluar dhe Josip Broz Titos. Por, pronarët e “Inkopit” kanë qëndruar të heshtur edhe pse në realitet ata kanë shumë më shumë arsye për t’u mburrur, pasi për shkak të ndërtimit të atyre rrugëve fitimi i tyre do të rritet po ashtu.

Pyetja e vetme që mbetet është nëse do të vazhdojnë këto biznese edhe pasi SNS-ja të bie nga pushteti. Vetëm pas ndërrimit të qeverisë do të jetë e mundur të konkludohet nëse treshja Radoiçiq-Veselinoviq e arriti vetë suksesin e jashtëzakonshëm të perandorisë së biznesit, apo nëse varka e tyre arriti vetëm falë një “drejtuesi të mirë të asaj varke”, ka shkruar "Radar" të enjten.