Arbëri

Rrjedhën e ujërave të zeza në Kalabri s’ka kush e ndal qe gjysmë viti

Rrjedha e ujërave të zeza nga kanalizimi i bllokuar në rrugën “Hasan Nahi” në lagjen Kalabria, nuk është ndalur për gati gjysmë viti.

Sipas banorëve, ky problem është shfaqur pas punimeve të KEDS-it për futjen e rrjetit elektrik nën tokë.

Prej atëherë, thonë se janë përballur me kundërmim e insekte, raporton “038” në KTV.

Kompania e kontraktuar nga KEDS-i, e cila thonë se e shkaktoi problemin, sipas tyre, nuk është shfaqur më për ta sanuar atë.

Ndërsa ujësjellësi, thotë se u ka bërë vetëm zgjidhje të përkohshme pa efekt afatgjatë, pasi problemi është rishfaqur.

Në KEDS nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë problem.

Ndërsa, në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë se punë-kryesit e ndryshëm, lejet për punime i marrin në komunë dhe janë të obliguar të sanojnë dëmet që shkaktojnë.

“Siç ka ndodhur edhe më herët në disa raste, ata i kanë dëmtuar linjat tona të furnizimit, por edhe të kanalizimeve dhe nuk i sanojnë si duhet. Në rastin konkret, inspektorati komunal duhet ta bëjë një proces ku obligon palët për ta sanuar dhe definon kush duhet paguar. Ne për hir të qytetarëve, kemi ndërhyrë dhe ndërhyjmë prapë, por na duhet edhe konfirmim me procesverbal nga inspektorati”, ka thënë Sokol Xhafa drejtor teknik në K.U.R. “Prishtina”

Ndërkohë, në Inspektoratin Komunal thonë se fillimisht ata duhet të marrin një kërkesë për këtë.