Arbëri

Rritje e rasteve të dhunës në familje

Deri në mesin e shtatorit të vitit 2020, gjashtë gra në vendin tonë janë vrarë.

Nga marsi e tutje, periudha e pandemisë ka sjellë edhe rritjen e rasteve të dhunës në familje, me shifra që organizata joqeveritare monitoruese e çojnë deri në 30 %.

Përballja me një numër më të madh të rasteve, ka rezultuar me trajtim joserioz me raste, thonë në Rrjetin e Grave, ku shumë gra, viktima të dhunës në familje, kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë ndihmë.

Valmira Rashiti thotë se personeli i Departamentit të dhunës në familje në kuadër të Policisë shpeshherë nuk kanë trajnim adekuat për rastet e tilla.

Ajo ka thënë se raportimi i kësaj dukurie është më i madh nëpër qytete të mëdha, pasi që nëpër zona rurale raportohen dukshëm më rrallë.
Rashiti ka renditur një varg arsyesh që e shtyjnë viktimën që ndonëse arrin ta raportojë rastin, të kthehet përsëri tek dhunuesi.

Fitim Gashi është avokat që merret me rastet e dhunës në familje, dhe ka me dhjetëra raste në procedurë gjyqësore.

Gashi ka shtuar se trajtimi i rasteve nga institucionet është relativisht i mirë, por që problem mbetet dënimi i kryesit të veprës.

Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dhuna në familje konsiderohet vepër penale e dënueshme nga 1 deri në 3 vjet burgim.

Se stafi i institucioneve të përfshira në trajtimin e dhunës në familje ka nevojë për trajnime shtesë e ka pranuar edhe koordinatori nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi.

Pos të tjerash ai ka thënë se edhe për të është shqetësuese mosdënimi i personave që ushtrojnë dhunë, andaj sipas tij shumë shpejt do të fillojë edhe trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në Kosovë janë 11 strehimore për gratë, të cilat përjetojnë dhunë në familje.