Arbëri

Rritja e çmimeve ul kërkesën për ndërtim

Çmimet e ndërtimit kanë pësuar rritje të ndjeshme. Kjo ka bërë që të bjerë kërkesa për ndërtim të shtëpive. Rritja e çmimeve ka ndikuar negativisht edhe te kompanitë e ndërtimit dhe te ato që merren me shitjen e materialeve ndërtimore. Të dhënat e ASK-së tregojnë për një rritje prej 5.3 për qind të kostos së ndërtimit krahasuar me vitin e kaluar

Rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore i ka zmbrapsur shumë qytetarë nga planet për ndërtim të shtëpive. Derisa vitin e kaluar kilogrami i hekurit ishte rreth 50 centë, këtë vit çmimi është rritur për afro 100 për qind. Pos hekurit është rritur edhe çmimi i çimentos, blloqeve dhe drurit.

Çmimet e larta kanë ndikuar direkt në rënie të kërkesës për ndërtim, sidomos te kompanitë që merren me ndërtime të ulëta.

Fidan Binaku, pronar i një kompanie që merret me ndërtime të ulëta, thotë se këtë vit kanë më pak kërkesa për ndërtim.

“Ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore ndikon te dy faktorë të ndërmarrjet e vogla siç jemi ne, i pari është se ul kërkesën e klientëve për ndërtimin e shtëpive, pasi materiali ndërtimor është rritur shumë dhe njerëzit nuk janë të gatshëm që të paguajnë për këtë vlerë”, ka theksuar ai. Faktor tjetër, sipas tij, është se kompanive iu rritet kostoja për blerjen e materialeve të ndërtimit dhe se kjo e bën më të vështirë punën e tyre.

Rritjen e çmimeve të metaleve, Njazi Musliu, pronar i kompanisë “Eurometal”, e lidh me shkaqet e pandemisë. Thotë se kjo ka ndikuar negativisht te kompania e tij, por edhe në ekonominë e vendit.

“Ka pasur ndërprerje të kontratave, humbje të kompanive, kontrata që i kemi paraparë më herët, por fati që është një nen që na mbulon nëse rritja është 10 për qind. Te kontratat e reja ka ndikuar që një sektor të ballafaqohet me ngritjen e çmimeve prej 100 për qind të disa produkteve që ne i përdorim për prodhim, e për disa produkte çmimi në bursë është rritur për 70 për qind. Ka produkte që çmimi është rritur për 120 për qind”, ka theksuar Musliu.

Se ka rënie të kërkesës për materiale e thotë edhe Gëzim Ramadani, pronar i një depoje me materiale ndërtimore. Thotë se shumë klientë potencialë kanë shtyrë planet për ndërtim. Tregon arsyet që, sipas tij, quan në rritjen e çmimeve.

“Arsyeja kryesore e ngritjes së çmimeve është pandemia, pasi disa miniera dhe disa fabrika që bëjnë prodhimin e lëndës së parë që plasohen në treg kanë punuar me kapacitete jo të plota të prodhimit”, thotë ai.

Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të patundshmërive në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, kostoja e ndërtimit në tremujorin e parë të këtij viti u rrit për 5.3 për qind. Vetëm te materiali ndërtimor pati rritje për 7.9 për qind.

Në indeksin e publikuar për vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e ndërtimit në Kosovë për tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 3.7 % në tremujorin e parë TM1 2021 krahasuar me TM4 2020. Rritje më të madhe kishte te materialet ( 4.7 %), energjia (3.0 %), kostot e tjera, (2.1%), makineritë (1.3 %) dhe pagat (1.2%)”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, ngritja e indeksit kryesisht u vërejt te kategoritë: materialet (7.9%); energjia (5.5%); makineritë (2.7%); dhe kostot e tjera (0.6%).Ngritja e çmimeve u neutralizua kryesisht me uljen e çmimeve te: transporti (-10.3%) dhe pagat (-0.2%). Ndërkaq, nëse krahasohet TM1 2021 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit shënon rritje për 5.3%.

Indeksi i Kostos së Ndërtimit mat zhvillimin e çmimeve të faktorëve të prodhimit të lëndëve të para, të pagave, makinerive, transportit, energjisë dhe kostot e tjera që përdoren në projektet e ndërtimit.

Indeksi mat ndryshimin e çmimeve për faktorët individualë të prodhimit dhe i peshon këto në përputhje me një sistem të caktuar të peshimit. Indeksi nuk mat ndryshimet e produktivitetit, të tilla si përdorimi më i mirë i materialeve, apo faktorët e tjerë, e as nuk pasqyron marzhat e fitimit.