Arbëri

Rritet numri i shkollave që kaluan në skenarin C në Gjakovë

Shkalla e infektimeve me COVID-19 po rritet ndjeshëm në shkollat e Komunës së Gjakovës. Sot ka kaluar në mësim online sipas skenarit C edhe shkolla e gjashtë në këtë komunë, SHFMU "Haxhi Hoti" në fshatin Rogovë të Gjakovës.

Zymber Berisha nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Komunën e Gjakovës ka bërë me dije për KOHËN se deri tek vendimi për të kaluar në mësim online në këtë shkollë ka ardhur pasi është konstatuar se 23 nga gjithsejtë 25 paralele të shkollës kishin probleme me raste infeksioni.

Ndërkohë sipas DKA-së në Gjakovë në tërë territorin e komunës aktualisht janë gjithsejtë 221 paralele nëpër shkolla të ndryshme të cilat po mbajnë mësim online, sipas skenarit C. Numri i përgjithshëm i nxënësve të infektuar me COVID-19 në shkollat e Komunës së Gjakovës është 333, ndërkaq i mësimdhënësve, 102.