Pak ditë para skadimit të afatit përfundimtar, është shtuar numri i kërkesave të paraqitura për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
4 shtatori është caktuar si datë e fundit për legalizime, teksa në Komunën e Prishtinës nuk është i ditur numri i saktë i objekteve që janë të ndërtuara në kundërshtim me ligjet.
Xhemail Metolli, udhëheqës i Divizionit të Ndërtimeve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur se disa nga lëndët për legalizim janë kthyer në listë të pritjes, si pasojë e parregullsive.
“Dy muajt e fundit kemi pasur një numër në rritje të aplikimeve. Kështu që, me numër të saktë të vendimeve do të dalim pas përfundimit. Do të thotë, kemi objekte të cilat e kanë përfunduar legalizimin, janë regjistruar në regjistrin e pronave të paluajtshme... dhe kemi edhe disa prej objekteve që për shkaqe të telasheve të parregullsive kanë përfunduar në listën e pritjes”, ka thënë ai.
Në mesin e problemeve që kanë ndikuar në ngecjen e procedurave të legalizimit, Metolli ka numëruar çështjet pronësore, rastet e ndërtimit të objekteve në zona të mbrojtura, në korridore infrastrukturore dhe në toka bujqësore.
Ai ka vlerësuar se objektet e palegalizuara janë të pasigurta dhe vetëm me një raport të vlerësimit nga profesionistët e fushës do të arrihet legalizimi i tyre.
“ Për objektet e kategorisë së dytë në kuadrin e dokumenteve janë të obliguar ta sjellin edhe raportin e profesionistëve, raportin e inxhinierëve të fushës, të cilët e dëshmojnë në bazë të analizave të cilat i bëjnë, kanë metoda të ndryshme ata të cilët i bëjnë objektet edhe pas ndërtimit se si qëndrojnë në aspektin e statikës, në aspektin e qëndrueshmërisë dhe të sigurisë. Kështu që kur objekti i caktuar e merr këtë tik, e kalon, atëherë mund të legalizohet. Organi kompetent ose komuna është e obliguar ta legalizojë nëse dokumentacionin tjetër e ka në rregull”, ka thënë Metolli.
Në periudhën kohore midis viteve 2014-2017, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim të ngushtë me komunat ka identifikuar 352.836 ndërtime pa leje.
Vetëm në Prishtinë asokohe ishin regjistruar gjithsej 46.528 ndërtime pa leje.