Gjatë 2023-tës vlera e pemëve dhe e perimeve që janë importuar është rreth 35 milionë euro. Njohës të bujqësisë kanë thënë se kjo është për brengosje meqë, sipas tyre, nuk po shihen rezultatet e subvencioneve dhe granteve që jepen për bujqit. E përfaqësues të fermerëve kanë shprehur kritika për shkallën e keqpërdorimit të buxhetit që u dedikohet atyre
Kosova ka importuar gjatë vitit të shkuar domate në vlerë 11.9 milionë euro, ndonëse çdo vit rritet buxheti për subvencione e grante me të cilat mbështeten bujqit. Vlera e pemëve dhe e perimeve që janë importuar më 2023 është rreth 35 milionë euro. Përveç domateve, gjatë vitit të kaluar janë importuar edhe patate në vlerë prej 6.3 milionë eurosh, molla 5.6 milionë euro, qepë 4.8 milionë, rrush 3.4 dhe dardha 2.1 milionë euro.
Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka theksuar se importi po shënon rritje meqë shteti po përballet me pamjaftueshmëri të prodhimeve vendore.
“Çështja e importit është në rritje, ndërsa çështja e konsumatorëve është në ulje, do të thotë është goxha e pakuptimtë kjo. Është e vërtetë se numri i njerëzve është në emigracion e sipër, numri i fermave është në mbyllje, sepse në agronomi kafsha dhe njeriu janë konsumatorë, kurse bimët janë prodhuese. Kurse, në anën tjetër, importin e kemi në trend që po tregon nga viti në vit në rritje”, ka thënë Rusinovci.
Përfaqësues të Federatës Sindikale të Fermerëve kanë bënë thirrje që të punohen tokat bujqësore. Tahir Tahiri, kryetar i kësaj federate, ka shprehur brengën edhe për shkallën e keqpërdorimit të subvencioneve dhe granteve që qytetarët i marrin.
“Ka raste që ka hy me një projekt 100 mijë euro dhe ai e a ndërtuar serrën me 30 mijë euro, kurse ato 70 mijë euro të tjera i ka ndarë me ata të korruptuarit në Ministrinë e Bujqësisë. E ka provuar një vit, eventualisht dy vjet, nuk ka pasur njohuri, nuk ka pasur fuqi punëtore, ka menduar vetëm me anëtarët e familjes të bëjë një biznes... Serrat që janë dhënë me hektarë sot nuk punojnë dhe nuk funksionojnë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, rritja e buxhetit vjetor për subvencione e grante në afro 100 milionë euro nuk është përcjellë me përmirësim të situatës në bujqësi.
“Tregtarët e nuhatin kur ka mungesë, atëherë furnizohen kudo që munden, sidomos prej importit dhe i ngritin çmimet. Tash edhe fshatari, por edhe prodhuesi ynë që ka prodhuar diku rreth 50 apo 60 për qind më pak është munduar që kostoja e tij të mbulohet disi, përndryshe vitin e kaluar ka qenë dështim total i prodhimtarisë sidomos i perimeve dhe pemëve”, ka shtuar ai.
Ministria e Bujqësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me situatën me importet e produkteve bujqësore dhe efektin e subvencioneve dhe granteve për fermerët.