Arbëri

Rreziqet nga terrorizmi, pjesë e Ligjit që trajton infrastrukturën kritike

Ligji i ri për Infrastrukturën kritike do t’i trajtojë rreziqet që u kanosen sektorëve kyçë të shtetit nga veprimet terroriste. Sipas ligjit në fuqi, qasja ndaj të gjitha rreziqeve është gjithëpërfshirëse ku shfrytëzohet në maksimum ndërveprimi ndërmjet masave mbrojtëse, por nuk i jep theks të veçantë terrorizmit

Qeveria e Kosovës është në proces të draftimit të Ligjit për Infrastrukturën Kritike, ku sektorë të rëndësishëm shtetërorë do të trajtohen nën këtë epitet. Me ligjin e ri synohet të bëhen disa ndryshime, ku vendosen specifika për sektorët që qeveria i konsideron kyçe për vendin. Derisa në ligjin aktual nuk i jepet theks i veçantë terrorizmit, me ndryshimet e bëra ky rrezik trajtohet sikurse të tjerët. 

“Qasja ndaj të gjitha rreziqeve - një qasje gjithëpërfshirëse që siguron një lidhje me llojet e tjera të rreziqeve si kërcënimi nga sulme të qëllimshme si dhe fatkeqësitë natyrore. Kjo do të sigurojë që të shfrytëzohen në maksimum ndërveprimi ndërmjet masave mbrojtëse por nuk do t’i japë theks të veçantë terrorizmit”, shkruan në ligjin aktual. 

E në ligjin e ri rreziqet nga terrorizmi trajtohen në dy paragrafë. 

“Vlerësimi shtetëror i rrezikut merr parasysh rreziqet përkatëse natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu, duke përfshirë rreziqet ndërsektoriale ose ndërkufitare, aksidentet, fatkeqësitë natyrore, emergjencat e shëndetit publik dhe kërcënimet hibride ose kërcënimet e tjera armiqësore, si dhe rreziqet nga terrorizmi“, shkruan në nenin 8. 

Ndërkaq, Neni 14 i referohet vlerësimit të rrezikut nga entitetet kritike. 

“Vlerësimet e rrezikut të entitetit kritik duhet të marrin parasysh të gjitha rreziqet përkatëse natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu që mund të çojnë në një incident, duke përfshirë ato të natyrës ndërsektoriale ose ndërkufitare, aksidentet, fatkeqësitë natyrore, emergjencat e shëndetit publik, kërcënimet hibride, si dhe kërcënimet tjera armiqësore, duke përfshirë rreziqet nga terrorizmi“, shkruan në draftligj. 

Neni 5 i projektligjit përcakton nëntë sektorët e infrastrukturës kritike kombëtare. Ato janë: energjia, transporti, sistemi bankar, infrastruktura e tregjeve, shëndetësia, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, infrastruktura digjitale, administrata publike, si dhe prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e ushqimit. 
Qeveria ka lënë edhe mundësinë që pas propozimit nga autoriteti kompetent, me vendim të përcaktojë edhe sektorë të tjerë të infrastrukturës kritike kombëtare. 

E neni 6 përcakton identifikimin e entiteteve kritike.  

“1. Autoriteti kompetent udhëheq procesin e identifikimit të entiteteve kritike kombëtare, në konsultim dhe bashkëpunim me institucionet e sigurisë, institucionet përgjegjëse për sektorët përkatës, pronarët dhe operatorët publikë dhe privatë. 2. Entitetet kritike kombëtare identifikohen në bazë të një analize të plotë të rrezikut të bazuar në kërcënimet dhe rreziqet reale, e cila ofron detaje të ndikimeve që një mosfunksionim apo shkatërrim i infrastrukturës kritike mund të ketë në funksionet jetësore të shoqërisë, aktivitetet ekonomike, shëndetësore dhe të sigurisë publike apo të mjedisit“, shkruan në këtë nen. 

Vlerësimi shtetëror i rrezikut përsëritet të paktën çdo katër vjet, si dhe kurdoherë që është e nevojshme. 

“Vlerësimet shtetërore të rrezikut do të përdoren për qëllimin e identifikimit të entiteteve kritike në përputhje me nenin 6 të këtij ligji dhe për të ndihmuar ato entitete kritike për të marrë masa në përputhje me Kapitullin III të këtij ligji“, shkruan në draft ligjin i cili ka dalë në konsultim publik. 

Sipas nenit 12, Institucionet shtetërore bashkëpunojnë me shtetet tjera dhe me organizatat ndërkombëtare në lidhje me entitetet kritike për të siguruar zbatim të plotë të këtij ligji. Por shkëmbimi i informacioneve nuk përbën detyrim. 

“Detyrimet për shkëmbimin e informacioneve me vendet e tjera nuk përfshijnë ofrimin e informacionit, zbulimi i të cilit do të ishte në kundërshtim me interesat e  sigurisë kombëtare, sigurisë publike ose mbrojtjes së Republikës së Kosovës“, shkruan në nenin 12 të këtij ligji. 

Ndërkaq neni 16 i referohet verifikimit të sigurisë që mund të kërkohet prej një entiteti kritik. 

“1.1. Autoriteti kompetent mund t’i kërkojë një entiteti kritik, në rastet e arsyetuara dhe duke marrë parasysh vlerësimin shtetëror të rrezikut, të paraqesë kërkesë për verifikim të sigurisë për personelin që: mban rol të ndjeshëm në ose në dobi të entitetit kritik, veçanërisht në lidhje me qëndrueshmërinë e entitetit kritik; është i autorizuar të ketë qasje direkt ose në distancë në mjediset e tij, informacionin ose sistemet e kontrollit, përfshirë në lidhje me sigurinë e entiteti kritik“, shkruan në draftligj. 

Ministria për Punë të Brendshme është autoriteti kryesor për hartimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave për identifikimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.  

Në draftligjin e ri nuk është përfshirë neni i veçantë i ligjit të vjetër që flet për bashkëpunimin publiko-privat, në shkëmbim të informacioneve të infrastrukturës kritike. 

“Neni 8, Bashkëpunimi publiko-privat 1. Mbrojtja e infrastrukturës kritike kombëtare kërkon koordinim dhe bashkëpunim me partnerët publikë dhe privat, në mënyrë që të garantojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike kombëtare. 2. Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes MPB-së, do të ofrojë mundësi për angazhim dhe shkëmbim të informacioneve të infrastrukturës kritike përmes organizimit të seminareve, grupeve të punës, takimeve me qëllim të forcimit të partneritetit publiko-privat, dhe ndarjes së informacioneve relevante për rreziqet dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike, praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra nga shtetet e tjera. 3. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të sigurojë stimulim financiar për pronarët/operatorët e infrastrukturës së caktuar si infrastrukturë kritike”, shkruan në ligjin aktual. 

Po ashtu është larguar edhe neni që i referohet Infrastrukturës kritike evropiane, klasifikim që i referohet ndonjë shteti evropian, çrregullimi ose shkatërrimi i së cilës do të kishte një ndikim të rëndësishëm në të paktën dy shtete të tjera evropiane. Nuk do të ketë as zyrtar ndërlidhës të sigurisë, i cili aktualisht funksionin si pikë kontakti për çështjet e sigurisë ndërmjet pronarit/operatorit të Infrastrukturës Kritike Evropiane (IKE) dhe MPB-së.