Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nuk ia arriti ta themelojë Agjencinë e Veteranëve, pavarësisht zotimit të tij.
Kjo gjë iu pamundësua për faktin që mandati i ministrit të punës i mbeti në gjysmë, raporton KTV.
Por ai beson se koncepti i tij do të punohet nga kushdo që do ta pasojë në këtë ministri.
Kohavisioni ka siguruar koncept dokumentin, i cili është vetëm në gjysmë faqe.
Ky koncept flet për trajtimin e çështjeve dhe vlerave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, i cili është përfshirë në listën e koncept dokumenteve për vitin 2017.
Aty thuhet se ministria është në proces të hartimit të draftit fillestar të koncept dokumentit, por paraprakisht do të shqyrtojë tri opsione.
Opsioni i parë do të jetë status quo, i dyti ndryshimi i qasjes ekzistuese të zbatimit dhe opsioni i tretë ndryshimi i politikës ekzistuese apo themelimi i Agjencisë si opsion i rekomanduar nga qeveria.
Në të parashihet që në harmoni me parimet e përgjithshme të legjislacionit në fuqi, që trajton kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, dhe gjatë këtij procesi të hartimit, të arrihet në një pajtueshmëri të akterëve të interesit në opsionin e rekomanduar.
Por vetë Abrashi thotë se kjo ide do të arrihet vetëm në 3 mujorin e fundit të 2017-ës.
Mbi 100 milionë euro pritet t’i menaxhojë kjo Agjenci.
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës pretendon të jetë pjesë e këtij institucioni, madje udhëheqësit e saj pretendojnë ta drejtojnë atë.
Veteranët e shohin Agjencinë edhe si mundësi të transferimit të linjave buxhetore nga një kategori tek tjetra.
Ata besojnë se teprica nuk do të kthehet në Thesarin e shtetit, por do të përdoret për nevojat shëndetësore të invalidëve dhe veteranëve të luftës.