Rrethi i Flamurit në Prishtinë ka mbetur pa flamur.
Kjo për shkak të erërave të fuqishme që kanë mbizotëruar në kryeqytet të hënën në mbrëmje.
Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Koha.net se flamuri është shqyer si pasojë e erërave dhe se ai duhet të ndërrohet.
Ai ka thënë se sërish aty do të vendoset flamuri kombëtar.
“Do të rivendoset flamuri kombëtar. Nëse protokolli i shtetit e ndërron në ditët e festave, është çështje e tyre”, ka thënë Tahiri.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë për KTV-në se përsëri tek rrethi do të vendoset flamuri kombëtar.
I pyetur se a mund të vendoset flamuri i Kosovës për shkak të 17 shkurtit, ai ka thënë se do të presin protokollin e shtetit.
“Nëse ka ndonjë vendim të Qeverisë si herën e fundit, e zbatojmë”, ka thënë Ahmeti.