Arbëri

Rreth flamurit të përçarë

Kosova ka një dekadë që është bërë shtet dhe krizën më të madhe politike e ka përjetuar sivjet, si pasojë e polarizimit të skajshëm të skenës politike. Në Shqipërinë që të shtunën e ka shënuar 108-vjetorin e mëvetësisë, thuajse një mandat legjislativ po përmbyllet me bojkotin e Kuvendit nga opozita. Edhe në shtetet fqinje ku e përbëjnë pakicën, shqiptarët janë të ndarë në shumë parti dhe në jo pak raste kjo u ka kushtuar me nënpërfaqësim e me tkurrje

Prishtinë, nëntor – Gjeni përçarës në politikën shqiptare nuk ka njohur evolucion, ani se ka ikur më shumë se një shekull prej shpalljes së pavarësisë. Ky tipar është trashëguar dhe është bërë akoma më i dukshëm në vitet e fundit.

Kosova ka një dekadë që është bërë shtet dhe krizën më të madhe politike e ka përjetuar sivjet, si pasojë e polarizimit të skajshëm të skenës politike. Në Shqipërinë që të shtunën e ka shënuar 108-vjetorin e mëvetësisë, thuajse një mandat legjislativ po përmbyllet me bojkotin e Kuvendit nga opozita. Edhe në shtetet fqinje, ku e përbëjnë pakicën, shqiptarët janë të ndarë në shumë parti dhe në jo pak raste kjo u ka kushtuar me nënpërfaqësim e me tkurrje.

Fatura është kjo: Kosova dhe Shqipëria, sipas INSTAT-it, janë vendet që, në nivel Evrope, kanë përqindjen më të lartë të braktisjes nga të rinjtë; Të dyja këto shtete, sipas FMN-së, vazhdojnë të renditen ndër më të varfrat në kontinent, pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik – Shqipëria është e 98-a në listë, ndërsa Kosova e 108-a, shumë pas vendeve të rajonit; Sipas Indeksit të fundit të Perceptimit të Korrupsionit, i lansuar nga “Transparency International”, Shqipëria ka humbur 7 vende për sa i përket korrupsionit, e Kosova 8 vende; Raporte kredibile flasin edhe për ngecje në zhvillimin social, te komunitetet shqiptare jashtë këtyre dy shteteve.

Publicisti Lutfi Dervishi, i cili është profesor në Universitetin e Tiranës, përmend krizën e komunikimit, si një nga shpjegimet që mund t’i japë përgjigje pyetjes rreth birimit të kësaj sjelljeje politike ndër shqiptarë.

“Është një krizë që e ka burimin në Tiranë dhe për fat të keq është shpërndarë edhe në Kosovë, edhe në vise të tjera”, thotë Dervishi. “Liderët në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të rrallë, i kanë thënë njëri-tjetrit fjalët e fundit dhe sa herë ka ardhur fundi kanë bërë marrëveshje po me njëri-tjetrin. Mjerisht kriza e komunikimit ka hedhur rrënjë të thella dhe pa adresuar këtë krizë, druaj se do të gjenden zgjidhje të mira për krizat e tjera – politike, ekonomike, sociale e institucionale”.

Image
Kosova ka një dekadë që është bërë shtet dhe krizën më të madhe politike e ka përjetuar sivjet, si pasojë e polarizimit të skajshëm të skenës politike.

Historia nis me përçarje

Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 përbën ngjarjen më të madhe të shqiptarëve. Por, përçarje të thella e kishin karakterizuar atë, e pasojat e tyre shihen edhe sot.

Fan Noli në vjeshtën e 1912-s kishte kritikuar Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën, për dështimin që ta bënin Shkupin kryeqendër shqiptare. Në të njëjtin vit, Luigj Gurakuqi kishte thënë se faji është “i të gjithë neve”, sepse “u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës”.

Kur kishin shkuar nëntë vjet pas këtyre kritikave, Hasan Prishtina kishte publikuar kujtime mbi kryengritjen shqiptare, që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë. Mes të tjerash, aty ka shkruar: “Koha e shënueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit, m’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata… Në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se ‘ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve’… Në Shkup mbrritëm me 20 për qind të fuqisë që kishim në Prishtinë”.

Deri para shpalljes së pavarësisë, Shkupi ishte kryeqendër e Kosovës, një nga katër vilajetet nën Perandorinë Osmane që ishin të banuara me shqiptarë. Nga atëherë është kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, shtet në të cilin shqiptarët janë shtypur për më shumë se një shekull e tek vonë kanë nisur t’u njihen disa nga të drejtat themelore.

Historia e dhimbshme e shqiptarëve të Maqedonisë mund të shëtitet në Manastir. Aty sheh gjurmë qindravjeçare të civilizimit ilir e edhe të pasardhësve të tyre, shqiptarëve, por rrallë ndokund mund të dëgjosh të flitet shqip.

Image
Në Shqipërinë që të shtunën e ka shënuar 108-vjetorin e mëvetësisë, thuajse një mandat legjislativ po përmbyllet me bojkotin e Kuvendit nga opozita
 
Brenda qytetit ndodhet shtëpia ku ka lindur alfabeti i shqiptarëve 112 vjet më parë. E, në periferi të tij janë hapur themelet e Heraclea Lyncestis, qytet antik i ndodhur në Gadishullin Ilirik.

Historia ka qenë e pamëshirshme për shqiptarët që jetojnë në kufirin lindor të Maqedonisë, veçmas të Manastirit, Përlepit e Velesit.

Vetëm një shekull më parë, në Manastir shqiptarët përbënin shumicën absolute. Tani, shqiptarët nuk përbëjnë as 10 përqindëshin e banorëve të qytetit që i është ndërruar edhe emri në Bitole.

Një proces i dukshëm asimilimi shihet në tri komunat e Luginës së Preshevës. Së fundmi, Serbia ka pasivizuar shumë adresa shqiptarësh, ngaqë ata kishin refuzuar t’i nënshtroheshin regjistrimit të fundit të popullsisë.

Ndërkombëtarisht, Shqipëria nuk qe njohur shtet, në kufijtë në të cilët ishte shpallur. Jashtë saj kishte mbetur Kosova, por e cila i është shkëputur përfundimisht Serbisë në vitin 1999, ndërkaq ka shpallur pavarësinë në shkurtin e 2008-s. Me gjithë realitetin e ri, zhvillimi i kërkuar ka mbetur peng i politikës.

Imer Mushkolaj është publicist dhe konsideron se politika shqiptare në viset e banuara me shqiptarë vazhdon të jetë përçarëse, politikë e bajraktarizmit, e shpesh me primesa primitive të sjelljes.

“Në disa raste, po ashtu, kjo politikë është më tepër politikë e feudeve, sesa njëmend politikë në favor të qytetarëve”, thotë Mushkolaj. “Shumica e politikanëve aktivitetin e tyre më tepër e shohin si privilegj, sesa përgjegjësi, duke bërë që të jenë në shërbim të vetes dhe të të vetëve dhe duke i lënë anash interesat e qytetarëve”.

Jashtë territorit të shtetit të Shqipërisë e Kosovës janë viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni, Greqi, Mal të Zi e Serbi. Edhe në këto vende, subjektet politike që përfaqësojnë këtë komunitet, tytat kryesisht i kanë të drejtuara ndaj njëri-tjetrit.

Në zgjedhjet paraprake në Maqedoni, partitë shqiptare humbën rreth dhjetë vende në Kuvend, shkaku që votuesit e tyre vendosën ta çonin votën te partia e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa në zgjedhjet e fundit një prej partive iu bashkua koalicionit parazgjedhor të kryeministrit Zaev.

Vite më parë, Ulqini i shqiptarëve për pak sa nuk ra në duart e DPS-së së Milo Gjukanoviqit, ndërsa në zgjedhjet e fundit nacionale të Malit të Zi, vota shqiptare kryesisht shkoi te lëvizja qytetare URA, e Dritan Abazoviqit.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës për vite janë përfaqësuar në Kuvendin e Serbisë me vetëm një deputet, shkaku i garës së bërë ndaras, ndërkaq në zgjedhjet e sivjetme i siguruan 4 ulëse, meqë u bashkuan në një listë.

Seladin Xhezairi është gazetar i televizionit “Klan Maqedoni”. Tek flet për politikën mbarëkombëtare, thotë të jenë aktuale vargjet e poetit Hilë Mosi, i cili shumë dekada më parë pati shkruar: “Dobro ytro atdhetar/Si e kena alfabetin?/Trapa-trupa krejt gomar!”.

“Në gjykimin tim, kjo është pasojë e betejës për pushtetin – pa lavdi”, thotë Xhezairi, por bën një dallim. “Përtej modestisë, them që një përjashtim të vockël këtu bën politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ajo në Luginën e Preshevës e deri-diku edhe në Ulqin e Malësi! Mjerisht kjo që po ndodh në Tiranë e Prishtinë, që janë hallkat bosht të politikës shqiptare në tërësi, lë shumë për të dëshiruar”.

Prishja e “standardit”

Muaji që vjen shënon përmbylljen e dekadës së tretë të vendosjes së sistemit shumëpartiak në Shqipëri dhe fundin e sistemit komunist.

Në dekadën e parë, demokracia e re përjetoi rebelimin e armatosur të popullit që ishte kanalizuar në lëvizje antiqeveritare. Bilanci i saj ishte rreth dy mijë të vrarë e dëme ekonomike qindramilionëshe.

Polarizimit të shoqërisë i shërbeu diskursi i ashpër politik. I tillë vazhdon të jetë edhe tani. Gjuha e të dyja kampeve politike dominohet nga kërcënimet, e edhe akuzat, sharjet e ofendimet, dhe në jo pak raste ato janë shoqëruar me veprime të dhunshme në institucione e rrugë.

Kryeministrin Edi Rama, që ka shtrirë pushtetin thuajse në të gjitha hallkat e shtetit, e karakterizon diskurs tallës e përqeshës në raport me oponentët.

Presidenti Ilir Meta, i cili shihet si i vetmi autoritet në institucione tek i cili Rama nuk ka dorë, në një paraqitje publike e ka përmendur kapjen e armëve nga populli si një nga tri rrugët që ka mbetur për t’i mbrojtur institucionet e fundit, nga kapja prej kryeministrit.

Publicisti Lutfi Dervishi thotë se në Shqipëri është provuar se më shumë dëme dhe viktima shkaktohen nga krizat politike se nga pandemitë, përfshirë COVID-19 nga e cila aktualisht është duke vuajtur bota.

“Nuk di ndonjë rast në këta 30 vjet që politika të ketë qenë e bashkuar, as kur ka qenë lufta (në Kosovë, e Maqedoni), as kur ra tërmeti, as tani në pandemi apo në krizat e mëdha e të shumëfishta si këto që po përballon sot Kosova”, thotë Dervishi. “Vetëm në dekadën e fundit, nga Shqipëria emigruan 360 mijë shqiptarë, 70 për qind e tyre të papunë. Mbi 50 për qind e tyre me arsim të mesëm dhe të lartë”.

As brenda Kosovës nuk ka pasur unitet politik në kohë lufte, ngjashëm sikurse as kur lufta ishte ndezur mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe autoriteteve të këtij shteti, dhe as kur e njëjta kishte ndodhur në Luginën e Preshevës. Gjithherë dikush është etiketuar për tradhtarë e dikush ka rrahur gjoks për patriotë.

Në Kosovë, Lidhja Demokratike vazhdimisht ka bërë me gisht kah njerëz që i kanë prirë luftës, për shumë eksponentë të saj që i janë vrarë në rrethana të pasqaruara gjatë viteve 1998-2000. Gjykata Speciale me seli në Hagë ka konfirmuar në fillim të muajit një aktakuzë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe një numri eksponentësh politikë që ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e të cilët, mes të tjerash, akuzohen për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Sipas një dokumenti të Speciales, Thaçi ka hequr përgjegjësinë nga vetja, gjatë intervistimit para prokurorëve. Ai është distancuar nga UÇK-ja.

“Në intervistat e tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, z. Thaçi hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, duke pohuar në mënyrë të përsëritur se në asnjë moment më 1998 ose 1999 ai, ose ndonjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk kanë pasur ndonjë autoritet mbi UÇK-në”, shkruan në dokumentin e publikuar këtë javë nga Specialja.

Dërgimi i Thaçit në Hagë është përdorur për qërim hesapesh, në prag të zgjedhjeve në Shqipëri.

Lulzim Basha, krye-opozitari që fill pas luftës kishte punuar përkthyes për misione ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, është duke u akuzuar nga eksponentë qeveritarë se fshehu dëshmi të krimeve serbe e ka ndihmuar hetimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që tani janë duke u akuzuar nga Specialja.

“Po të ishit ditët e fundit në Tiranë dhe të shihnit lajmet dhe emisionet për “kasetën” e masakrës së Krushës të vitit 1999, do të mendonit jo pa të drejtë se Shqipëria hallemadhe është kthyer në një çmendinë të madhe”, thotë Lutfi Dërvishi.

Deri vonë, janë ruajtur disa “standarde” mes politikanësh andej e këtej kufirit. E, nga viti i shkuar, akuza e kundërakuza, madje për tradhti kombëtare, janë dëgjuar nga tashmë ish-presidenti Thaçi, dhe lideri shumëvjeçar i Shqipërisë, Sali Berisha. Ato nisën kur Thaçi proklamoi si zgjidhje me Serbinë, një opsion që përfshinte shkëmbimin e territoreve, e i cili përkrahej edhe nga kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama. Opsioni ra, pasi për të pati kundërshti të mëdha.

Mes kundërshtuesve të idesë ishte edhe Ramush Haradinaj, duke qenë kryeministër. Qeveria e tij vendosi një tarifë ndaj mallrave serbe, pa heqjen e së cilës Beogradi zyrtar nuk rikthehej në negociata, e për pasojë nuk mund të çohej përpara zgjidhja mes dy vendeve. E Haradinaj ankohej se edhe Rama ishte mes njerëzve që i kishte bërë presion ta hiqte taksën.

Pas kësaj, raportet mes dy kryeministrave kishin përshkallëzuar. Kjo qe bërë sebep që Rama ta padiste Haradinajn, nën pretendimin se kishte shpifur për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuara, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjatë asaj kohe raportet mes vendeve ishin diktuar nga raportet mes kryeministrave. E, Rama që shihet si njeri i afërt me Thaçin, nuk qe treguar miqësor as me Albin Kurtin sa ishte kryeministër.

Imer Mushkolaj thotë se interesi qytetar është goditur nga një qasje e këtillë.

“Politika shqiptare është inatçore, politikë interesash të ngushta. Kjo shkakton përçarje, shpeshherë edhe të thella, që derivojnë më pas kriza politike”, thotë publicisti Mushkolaj. “Sipas pasojë e sjelljeve të tilla aspak të denja për politikanë të përgjegjshëm, proceset politike bllokohen dhe, rrjedhimisht, dëmtohet interesi i qytetarëve”.

Në jo pak raste janë instrumentalizuar edhe politikanë shqiptarë jashtë këtyre dy shteteve.

Seladin Xhezairi tek flet për politikën shqiptare, thotë se për të mbeten të huaja llogaridhënia dhe përgjegjësia karshi elektoratit e qytetarëve. Ai shtron nevojën për një program politik gjithëkombëtar. Por, nga e ka burimin kjo sjellje politike?

“Nga mungesa e kulturës politike. Diktohet nga grupet e interesit, qofshin ato të brendshme apo edhe nga jashtë dhe gjithë këtë e ushqen mungesa e shtetit të së drejtës. Kjo e ushqen politikën ‘allaturka’, korrupsionin dhe krimin, për pasojë edhe zhgënjimin deri në depresion të njerëzve, qytetarëve”, thotë gazetari Xhezairi. “Se në çfarë derexheje jemi, le të marrim me sinqeritet shembullin e mirë-integrimit të shumicës së bashkëkombësve tanë nëpër vendet e të ashtuquajturës demokraci perëndimore, dhe sjellje-veprimet e tyre kur kthehen në vendlindje. Edhe ata bëhen si ‘ne’, ta zëmë, në respektimin e rregullave të trafikut”.

Image
Edhe në shtetet fqinje ku e përbëjnë pakicën, shqiptarët janë të ndarë në shumë parti dhe në jo pak raste kjo u ka kushtuar me nënpërfaqësim e me tkurrje

Bashkë as në krizë

Vit krize politike për Kosovën ka përbërë 2020-a. Qysh në tremujorin e parë të tij, “mortaja moderne” ka gjetur një aleat në Kosovë – politikën. Përderisa brenda shtetesh, por edhe mes popujsh, është demonstruar unitet e solidaritet në luftën kundër COVID-19, në Kosovë, me të mbërritur pandemia, janë fuqizuar apetitet për pushtet, që për prodhim kanë pasur lënien e vendit pa qeveri.

Ajo çfarë është parë në javët e parë, është: mungesa e bashkëveprimit ndërinstitucional e unitetit partiak; fokusi i institucioneve dhe partive në luftën mes vete; institucione jo plotësisht funksionale, e vendimmarrja në jo pak raste joadekuate, ose e kontestuar; mungesë e komunikimit e motivuar politikisht, në relacionin mes pushtetit qendror dhe atij lokal; si dhe polarizimi i shoqërisë, i shoqëruar me shpërfillje të masave të izolimit të vëna nga Qeveria.

Pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura fundvitin e shkuar, në shkurt Albin Kurti u zgjodh kryeministër, pasi Lëvizja Vetëvendosje që e drejton, i fitoi zgjedhjet nacionale. Por, qeveria e tij ishte më jetëshkurtra. Ajo u rrëzua nga Kuvendi, me mocionin e iniciuar nga Lidhja Demokratike, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo parti nuk pati treguar ndjeshmëri për dramën e përballjes së kosovarëve me pandeminë COVID-19, e cila në kohën e këtij zhvillimi politik kishte prekur 71 qytetarë dhe e kishte marrë jetën e parë, ndërsa tashmë numri i të infektuarve ka shkuar në 37 mijë, e numri i të vdekurve ka mbërritur në rreth 1 mijë.

Iniciativa nuk qe stopuar, pavarësisht thirrjes së qytetarëve që është shprehur nëpërmjet protestave nga ballkonet e shtëpive secilën natë, pavarësisht kërkesës së shoqërisë civile, e edhe apelit që e patën kanë bërë shumë shtete, përfshirë ato të QUINT-it, si dhe një demarshi të shteteve më me ndikim në Evropë – Gjermanisë dhe Francës.

Çarjet mes LVV-së dhe LDK-së, të nisura që në ditët e para të bashkëqeverisjes, degraduan në kohë pandemie kur kryeministri Kurti shkarkoi nga posti i ministrit Agim Veliun, nënkryetar i parë i LDK-së që shihej si pykë në koalicion. E bëri këtë, pasi Veliu publikisht kishte mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të iniciuar nga presidenti, në kundërshtim me pozicionimin kundër të deklaruar nga kreu i Qeverisë.

Avdullah Hoti i LDK-së e ka pasuar Kurtin në krye të Qeverisë. Duke qenë se koalicioni që e mbështet atë vuan nga përçarje të brendshme dhe, madje, nuk e ka aktualisht as mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvend, shumë nisma legjislative nuk ka mundur t’i kalojë, përfshirë Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, i cili ka dështuar të votohet ndonëse shumë herë ka dalë para deputetëve. Fatin e njëjtë pritet ta ketë edhe buxheti.

Imer Mushkolaj tregon motivin e politikanëve për të krijuar vazhdimisht kriza.

“Politika shqiptare jeton, mbijeton nga krizat. Në raste të tilla qëllim nuk është që krizat të zgjidhen për të mirën e qytetarëve, por që ato të vazhdojnë, duke prodhuar poenë politikë për një apo tjetër grup”, thotë ai. “Pra, interesi personal, grupor është më i rëndësishëm se interesi publik”.

Në ciklin kohor brenda një viti, Shqipëria i ka përjetuar dy drama të mëdha.

Këtë javë është bërë një vit prej kur një tërmet ka goditur vendin, i cili la të vdekur 51 persona dhe qindra të tjerë të lënduar. Thumana dhe Durrësi pësuan më së shumti nga dridhjet e fuqishme të tërmetit, që shkaktoi edhe shumë dëme materiale.

Duke qenë shtet fqinj i Italisë, ku pandemia në pranverë bëri kërdi, Shqipëria i ishte ekspozuar shumë virusit. Mbi 35 mijë qytetarë të saj janë konfirmuar të infektuar e në rreth 700 ka shkuar numri i të vdekurve.

Në përballimin e asnjërës prej këtyre krizave, nuk është parë solidaritet mes kampeve politike.

Analisti tiranas, Lutfi Dervishi, thotë se në Shqipëri është provuar se më shumë dëme dhe viktima shkaktohen nga krizat politike se nga pandemitë, përfshirë edhe COVID-19.

“Në fakt, pandemia mund të shihet edhe si sinjal shumë i fortë që duhet kuptuar që nuk është zgjidhja ‘vajtja në Evropë, por ndërtimi i Evropës në Shqipëri e në rajon’”, thotë ai. “Edhe milionerët e miliarderët e Shqipërisë duhet të kenë kuptuar se thithin të njëjtin oksigjen si të papunët e të pastrehët, dhe në kushtet e izolimit total që po sjell COVID-i do të duhet të ndajnë të njëjtin spital me ta”.

Pandemia ka shpërfaqur deficitet e shoqërisë shqiptare në të gjitha dimensionet e saj, dhe shembull i kësaj është sektori shëndetësor. Në këtë kohë, në sektor kanë dalë në pah efektet e një keqmenaxhimi shumëvjeçar institucional. Mungesat e pajisjeve dhe furnizimeve esenciale, infrastruktura e shkatërruar dhe pamjaftueshmëria e mjekëve specialistë, janë parë kudo.

Pandemia e ka vënë në pah edhe një problem në viset shqiptare jashtë Kosovës e Shqipërisë. Përfaqësues të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë alarmuar se kjo pjesë është duke u përballur me një gjendje jashtëzakonisht të rëndë me përhapjen e virusit që e shkakton sëmundjen nga e cila është duke vuajtur bota.

“Për arsye të njohura, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës frikësohen se mund të marrin trajtim dhe shërbim të duhur shëndetësor në spitalet rajonale, si ai i Vranjës dhe i Leskocit, ku edhe nuk ka pothuajse fare shqiptarë të punësuar”, është kërkesa që u ishte drejtuar autoriteteve të Kosovës nga ana e përfaqësuesve të kësaj pjese.

Politika është treguar e shurdhër ndaj kësaj kërkese.

Image
Vit krize politike për Kosovën ka përbërë 2020-a. Qysh në tremujorin e parë të tij, “mortaja moderne” ka gjetur një aleat në Kosovë – politikën. Përderisa brenda shtetesh, por edhe mes popujsh, është demonstruar unitet e solidaritet në luftën kundër COVID-19, në Kosovë, me të mbërritur pandemia, janë fuqizuar apetitet për pushtet, që për prodhim kanë pasur lënien e vendit pa qeveri

Por, brenda në Kosovë zhurma për pushtet vazhdon të jetë e lartë, e në Shqipëri është duke e rritur intensitetin, sa më shumë që është duke u afruar data e zgjedhjeve.

Seladin Xhezairi, tek flet për sjelljen politike rreth pandemisë, për situatën politike në Kosovë dhe dialogun Kosovë-Serbi, për daljen e partive shqiptare në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, e për vlim-fërkimet në Tiranë, thotë se ato shpërfaqin më së miri mungesën e seriozitetit në bërjen e politikës. Sipas tij, pasojë e kësaj është dobësimi i fuqisë rajonale të shqiptarëve.

“E kuptoj luftën për pushtet, por që ‘për një plesht të djegim jorganin’ – kjo nuk më hyn në rradake – kurrsesi”, thotë Xhezairi.

E, Lutfi Dërvishi, tek e shpreh një drojë, përdor një thënie të diktatorit famëkeq të Shqipërisë: “Dimri që kemi përpara do të jetë më i keq se ai që kaluam, por më mirë se ai që do të vijë pas tij”.