Arbëri

Rreth dy mijë pacientë presin për proteza

Rreth dy mijë pacientë figurojnë në listat e pritjes për vendosjen e protezave në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Stafi është duke thirrur pacientët e regjistruar në listë në fund të vitit 2018. Në klinikë thonë se, në mungesë të anesteziologëve, brenda javës janë duke kryer vetëm nga një deri në dy intervenime të tilla. Shkaku i kësaj mungese nuk janë duke shfrytëzuar dy nga katër sallat e reja operative

Hajkunë Dema është një nga rreth dy mijë pacientët në pritje për vendosjen e protezave në gjunjë dhe kordhokë në Klinikën e Ortopedisë.

Kjo 73-vjeçare tregon se para katër vjetësh ka operuar njërën këmbë, e që nga atëherë pret për intervenimin në këmbën tjetër.

“Tash qe katër vjet nuk më ka ardhur rendi. Të dyja i kam. Por këtë e kam pasur urgjent se më ka thënë është llom kjo. E këtë kam aplikuar qe katër vjet, prapë për së dyti dhe ende nuk na ka ardhur rendi. Po thonë, nuk ka anesteziologë”, ka thënë Dema.

E gjatë së premtes, në mesin e pacientëve të shtrirë në klinikë ishte edhe një pacient që sapo kishte kryer operacionin, për intervenim që ishte në pritje nga 2019-a.

Në Klinikën e Ortopedisë patën shprehur synimin që listën, që tregon radhën e pritjes së pacientëve nga viti 2018, ta reduktonin pasi në nëntor të vitit të shkuar u hapën katër salla të reja operative. Por, tani thonë se, në mungesë të anesteziologëve, punojnë vetëm në dy nga to.

Drejtori i Klinikës, Gani Jashanica, tregon se nga pesë anesteziologë sa kishte klinika, tre e kanë lëshuar punën dhe tani janë gjithsej dy. Ai tregon për ndërhyrjet që janë bërë gjatë vitit. Thotë se gjatë 2023-s janë kryer 426 operacione, kryesisht raste më të lehta dhe ditore.

Janë kryer rreth 40 intervenime nga patologjitë e listës së pritjes.

“Deri në këtë kohë kemi kryer 22 proteza, 16 i kemi kryer të gjurit dhe 6 të kordhokës. 2 proteza bipolare dhe subtotale 14. Domethënë, intervenime në gjunjë dhe kordhoka janë përafërsisht 40, të cilat nëse i shikojmë në javë, nga një protezë është numër shumë i vogël duke parë listën e fryrë që është afër 2 mijë pacientë për proteza”, ka thënë Jashanica.

Ai ka theksuar se gjatë vitit të kaluar është tentuar t’i kontaktojnë pacientët nga lista e pritjes për të verifikuar situatën, mirëpo ky veprim kishte sjellë më shumë kaos, pasi pacientët kanë menduar se janë thirrur për t’iu nënshtruar operacionit.

“Vjet kemi tentuar t’i kontaktojmë të gjithë pacientët dhe kemi shkaktuar një rrëmujë, për arsye se shumica ka menduar që po i thërrasim për operacion. Ne kemi dashur të verifikojmë se a e ka kryer dikush privat apo dikush tjetër kund, mirëpo e kemi ndërprerë për shkak të rrëmujës që është shkaktuar. Edhe ka qenë vështirë për t’i kontaktuar përmbi 1 mijë e 500 pacientë. Edhe pacientët e kanë keqkuptuar dhe na janë paraqitur se po na thërrasin për operacion e tash nuk po na bëni”, ka thënë drejtori i Klinikës së Ortopedisë.

Jashanica thotë se pengesë tjetër është edhe mungesa e herëpashershme e materialit, për çka ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë.

“Është kostoja e lartë e çdo operacioni. Nëse ka mundësi 2 milionë euro t’i sigurojë Ministria për t’i blerë të gjitha protezat dhe t’i shpërndajë nëpër rajone, ajo është e zgjidhur nga këtu. Vetëm paratë t’i sigurojë dhe t’i blejë protezat”, ka thënë drejtori i Ortopedisë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS, e ministri Arben Vitia në emisionin “Konfront” ka thënë se situatën me mungesë të profesionistëve e ka shkaktuar mungesa e specializimeve për shumë vjet.

“Pa dashur ta vejë gishtin, këtu ka të bëjë edhe me mungesën e specializimeve për shumë vjet, sepse nuk është bërë një analizë e resurseve njerëzore, sepse po të ishin ndarë këto specializime për anesteziologë para pesë vjetëve, në kuptimin strategjik, sepse të gjithë e kemi ditur se pas kaq vjetëve, kaq anesteziologë do të dalin në pension, sot nuk do ta kishim këtë problem”, ka thënë Vitia.

Të premten Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ministri Vitia ka nënshkruar Udhëzimin administrativ për shkollim specialistik. Sipas Ministrisë, me këtë udhëzim të ri do të eliminohen mangësitë që kanë qenë të shprehura në udhëzimin e mëparshëm dhe se numri i specializimeve do të mbështetet në tri kritere bazë: Kuadri deficitar, kapacitetet mentoriale dhe kapacitete infrastrukturore.

Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija, kishte njoftuar ditë më parë se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë janë të angazhuar vetëm 45 anesteziologë dhe nevojiten edhe së paku 80 të tillë, për të operuar me 38 klinikat e QKUK-së.