Arbëri

Rreth 705 mln € për projekte kapitale, vetëm 400 mijë për rrugën Prizren-Tetovë

Buxheti prej 2.75 miliardë € i miratuar nga Qeveria të premten parasheh afro 705 milionë euro për projekte kapitale apo 25.7 për qind e buxhetit. Aty parashihen disa projekte të reja, në mesin e të cilave edhe fillimi i projektimit të rrugës Prizren-Tetovë. Ekzekutivi ka paraparë mjete edhe për lidhjen e Vitisë në autostradë dhe ndërtimin e urës në Veternik

Prishtinë, 31 tetor - Vetëm 400 mijë euro ka paraparë Qeveria për rrugën Prizren-Tetovë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky projekt që nxiti reagime në publik, duke u parë si konkurrent i rrugës Prishtinë-Pejë, parashihet të kushtojë mbi 150 milionë euro, por shumica e mjeteve është paraparë për vitet e mëvonshme.

Mjetet e ndara për vitin e ardhshëm, 400 mijë euro, janë paraparë për fillimin e fazës së projektimit pas parafizibilitetit që parasheh 3 opsione për ndërtimin e kësaj rruge.

Në Projektbuxhetin e miratuar të premten në Qeveri, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe KOHA, thuhet se deri në vitin 2024 për këtë projekt do të shpenzohen 12.9 milionë euro.

Sipas Qeverisë, kjo rrugë përveçqë lidh Prizrenin dhe Tetovën, do të lidhë edhe Shkupin e Durrësin përmes Librazhdit dhe Rrugës së Kombit nga Prishtina në Tiranë.

Projektbuxheti 2022 parasheh rreth 705 milionë euro për projekte kapitale apo 25.7 për qind e buxhetit të tërësishëm.

Krahasuar me këtë vit, projektet pritet të rriten për 37.3 për qind.

Ekzekutivi ka paraparë edhe projektimin dhe ndërtimin e lidhjes së Vitisë me autostradën R-6, si dhe ndërtimin e urës në Veternik mbi Rrugën A.

Për projektin e parë janë paraparë 750 mijë euro, ndërsa për të dytin 350 mijë euro.

Premtimin që kishte dhënë gjatë fushatës Vetëvendosje për banimin social e ka inkorporuar në buxhetin e vitit 2022.

Edhe pse vitin e parë parashihen vetëm 2.5 milionë euro, në dy vitet pasuese do të shpenzohen edhe 40 milionë euro për këtë projekt.

Ekzekutivi ka paraparë 100 milionë euro për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Në buxhet parashihet ndërtimi i 50 çerdheve dhe 40 milionë euro janë për “Trepçën” e Telekomin.

Mbi 57 milionë euro në buxhet janë të parapara për shpronësime.

Një pjesë e madhe e projekteve kapitale janë vazhdimësi e viteve të kaluara. Për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit (R6) janë 100 mijë euro vazhdimësi nga viti i kaluar. Edhe për rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan-Konçul parashihen 5.2 milionë euro që janë bartur nga viti 2021. Edhe 100 mijë euro të tjera janë bartur për projektin e ndërtimit të rrugës Besi-Merdar.

Edhe për projektin e zgjerimit të pistës dhe ngritjes së sistemit të aterrimit në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë janë bartur rreth 8.7 milionë euro nga viti i kaluar.

Sipas ekzekutivit, implementimi i projekteve kapitale do të bëhet bazuar në një listë të prioriteteve që përmban projekte me ndikim në përmirësimin e rrjetit të transportit, përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e kushteve në arsim, në sistemin social dhe atë shëndetësor.

Buxheti prej 2.75 miliardë eurosh parasheh edhe 108 milionë euro për Programin e Ringjalljes Ekonomike.

Deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 244.5 milionë euro apo rreth 2.9 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Ky deficit, sipas parashikimeve të Qeverisë, pritet të ulet gradualisht në vitin 2023 në 1.8 dhe në vitin 2024 në 0.8 për qind.

Financimi i këtij deficiti parashihet që të bëhet përmes huamarrjes.

Vetëm në nivelin qendror pritet që të rriten shpenzimet prej rreth 10.5 për qind krahasuar me shpenzimet e planifikuara në buxhetin e rishikuar për nivelin qendror për vitin 2021.

“Rritja më e madhe planifikohet të jetë në kategorinë e shpenzimeve kapitale prej 37.3 për qind, ndërsa kategoria e shpenzimeve për paga dhe shtesa planifikohet të ketë rritje prej 7.8 për qind, kurse shpenzimet për mallra dhe shërbime, rritja është 4.4 për qind. Në anën tjetër, kategoria e subvencioneve dhe transfereve 3.1 për qind dhe kategoria e shpenzimeve komunale planifikohet të kenë rritje prej 3.0 për qind”, thuhet në raport.

Sa u përket shpenzimeve në nivelin komunal ato janë projektuar të shënojnë një rritje prej 1.9 për qind apo rreth 10.5 milionë euro. Gjatë vitit 2022 pritet rënie në kategorinë e pagave dhe shtesave me 3.3 milionë euro. Rritja e shpenzimeve dhe mallrave është paraparë të jetë 6.6 milionë euro, e kategorisë së shpenzimeve kapitale për 0.2 milionë euro, kurse e shpenzimeve për subvencione dhe transfere për 2.9 milionë euro.

Në vitin 2023 dhe 2024 shpenzimet e nivelit lokal parashihet të rriten mesatarisht 5 për qind.