Para Qendrës së vaksinimit në Pejë nuk vërehen radhë të gjata, sikur disa ditë me parë.
Mungesa e radhëve jashtë qendrës nuk tregon që në këtë komunë ka rënë interesimi për vaksinim.
Përkundrazi, siç thotë shefi i kësaj qendre, numri i të vaksinuarve brenda ditës është i njëjtë sikur ditëve të para, të përcjella me radhë të gjata e tollovi, edhe nga paniku që u shfaq te njerëzit që donin të vaksinoheshin pa terminë.
“Numri i vaksinimeve është si ato ditë para dy jave kur kishim radhe të gjata. 1 mijë deri 1 mijë e 200 persona vaksinohen brenda ditës, gjatë orarit prej orës 7.00 deri në ora 20.00”, tha Dukagjin Sahatçiu, shef i Qendrës së vaksinimit në Pejë.
E ky ritëm i vaksinimit e ka çuar në 70 mijë numrin e dozave të administruara që nga fillimi i këtij procesi.
Deri të mërkurën, siç tha Sahatçiu, mbi 25 mijë veta janë vaksinuar edhe me dozë të dytë. Ai beson që deri në fund të vitit do të arrihet imuniteti i plotë i tufës.
“Duke pas parasysh që një pjesë e popullatës edhe e kanë kaluar Covidi-in dhe kanë imunitet të fituar, edhe me vaksinim procesi nëse vazhdon kështu, besoj që deri për vit të ri do ta përmbyllim me proces fazën e parë të imunizimit me Covid”, tha Sahatçiu.
Fazë të dytë të vaksinimit, sipas tij, mund të ketë nëse institucionet shëndetësore në qendër vendosin që të jepen edhe dozat e treta të vaksinës.
Edhe infektologu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Zenel Shatri, beson se me këtë trend të vaksinimit Peja do ta arrijë imunizimin e tufës në fund të 2021-tës.
“Mendoj po ashtu që nëse bëhet vaksinimi me këtë intensitet që është duke u kryer, dhe nëse arrihet vaksinimi i plotë, kuptohet kur i marrin të dy dozat, besoj që do të bije edhe trendi i sëmurjeve, do të mbërrihet tufa epidemologjike dhe besoj që do të zvogëlohen numrat në mënyrë të dukshme”, deklaroi Shatri.
Mirëpo, sipas Shatrit, pa vaksinimin e të gjithëve nuk ka zhdukje të pandemisë e as të sëmundjes së Covidit.