Interesim të madh për vaksinim kundër COVID-19 kanë shfaqur nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë.
Ky interesim ka bërë që iniciativa e përbashkët e drejtorisë së shkollës, nxënësve dhe prindërve për vaksinim masiv në këtë shkollë, e nisur të hënën e javës së shkuar, të vazhdojë edhe sot.
“Me thënë të drejtën nuk e kemi prit këtë interesim kaq të madh. Ne kemi ardh për një grup të vogël të nxënësve me këto ekipe mobile, mirëpo interesimi ka qenë shumë, shumë i madh”, ka thwnw Dugagjin Sahatçiu, shef i Qendrës së Vaksinimit në Pejë.
Sahatçiu ka treguar se gjatë pesë ditëve të iniciativës, janë vaksinuar mbi 500 gjimnazistë, derisa edhe të 200 tjerë që fillimisht kishin hezituar, do të vaksinohen të enjten.
E për vetë nxënësit e këtij gjimnazi, interesimi për vaksinim ka pasur rëndësi të madhe për disa arsye.
“Fillimisht për shëndetin tonë e pastaj për shëndetin e familjarëve tanë, t’u ja nis prej prindërve të cilët janë ma në moshë. Kemi menduar që edhe për procesin mësimor për mos me pas ndërprerje, mos me pas pauzime shpesh në shkollë, me u vaksinu secili”, ka pohuar Elsa Belegu, nxënëse e klasës së dhjetë.
Drejtori i gjimnazit, Musa Nikqi, ka treguar se deri më tani, me një apo dy doza janë vaksinuar 70 për qind e nxënësve të shkollës, derisa mbi 10 për qind të tjerë e kanë kaluar sëmundjen COVID-19.
Kurse për stafin arsimor dhe teknik të kësaj shkolle me 1 mijë e 860 nxënës, ai thotë se është komplet i vaksinuar.
“Jam i bindur që me këtë temë nuk do të merremi më me skenarë 2 e 3, A e B dhe C që thirren, por do merrem me orët e mbajtura të plota dhe aq sa ka mundësi për t’i kompensuar edhe aty ku kemi humbu orë, në mënyrë që ta normalizojmë procesin edukativo-arsimor”, ka deklaruar Nikqi.
Shefi i qendrës së vaksinimit, Sahatçiu, u kërkoi shkollave të tjera dhe prindërve që për vaksinimin e nxënësve ta marrin shembull gjimnazin e Pejës.