Arbëri

Rreth 600 nxënës të shkollës “Emin Duraku” në Shtime përballen me mungesë të ngrohjes

Objekti i shkollës “Emin Duraku” në Shtime ka mbetur pa furnizim me ngrohje shkaku i mungesës së druve. Mirëmbajtësi i shkollës thotë se e njoftoi me kohë menaxhmentin e shkollës për shpenzimin e druve për ngrohje, teksa autoritetet komunale dhe të shkollës nuk e panë këtë me shqetësim, shkaku i afrimit të fundit të sezonit dimëror. Por reagim pati nga opozita komunale

Objekti i shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime që nga e premtja ka mbetur pa ngrohje, si pasojë e mungesës së druve.

KOHA pati raportuar vitin e shkuar për dyshimet se kësaj shkolle, që ngrohjen e gjeneron me djegie të druve, i janë dërguar 80 metra dru më pak.

Mirëmbajtësi Avdi Bungu, tha se i kërkoi në vazhdimësi drejtorit që ta bëjë furnizimin me këtë lëndë djegëse, pasi shtoi se rreziku ishte që shkolla të mbetej pa dru qysh në janar.

“Kam thënë edhe më herët se ka mungesë të druve, andaj edhe prej sot nuk kemi më dru në shkollë. Pra, sot janë përfunduar drutë dhe zjarri i fundit është ndezur sot në këtë shkollë. Ku janë drutë e dinë këta vetë se ku i kanë dërguar ato. Këtu kanë ardhur 123 metra, kurse këta po thonë 200 metra. Pra, as 123 nuk kanë qenë, por i kanë numëruar hetuesia dhe ekspertët e pylltarisë vetë i kanë bërë matjet”, deklaroi Bungu.

Derisa prindërit e nxënësve të shkollës kërkuan që problemit me ngrohje t’i bëhet një zgjidhje e shpejtë, nga opozita në Komunë shprehën kritika për keqpërdorim dhe keqmenaxhim.

“Për mungesë të lëndëve djegëse në shkolla ne kemi paralajmëruar pushtetin lokal edhe më herët dhe ka qenë një pikë e veçantë në Kuvend për të cilën kemi diskutuar dhe është paralajmëruar nga PDK-ja se lidhur me keqpërdorimin dhe keqmenaxhimin e lëndëve djegëse në shkolla. Ajo çfarë e kemi thënë më parë, tani veç po shihet ka mungesë të druve dhe shumë shkolla në Komunën e Shtimes edhe gjatë kohës kur ishte më ftohtë por edhe tani kanë mbetur pa lëndë djegëse”, ka thënë Rrahman Jakupi, asamblist i PDK-së.

Rexhep Hasani, drejtor i shkollës, tha nëpërmjet telefonit se drutë do të sigurohen për javën e ardhshme.

“Më 15 prill përfundon sezoni i druve. Ky është shqetësimi më i vogël. Andaj, e din edhe zotëri Avdia, i cili e ka gjetur mundësinë për të folur. Kurdo që shkolla ka nevojë atëherë është punë e imja se si i siguroj drutë. Pra, dru kemi, nëse nuk kemi këtu, atëherë kemi te shkolla tjetër në Davidovc dhe mund t’i bartim”, tha ai.

E drejtoresha për Arsim në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu, i hodhi poshtë kritikat për furnizim të mangët të shkollës me dru.

“Fillimisht nuk qëndron aspak që nuk ka pasur furnizim të mjaftueshëm të druve, pasi furnizimi është paraparë saktë sipas nevojës, deri në përfundimin e sezonit dimërore që përfundon më 15 prill, datë kjo e caktuar institucionalisht. Pavarësisht kësaj, në rast të mungesës eventuale, pasi këtë vit nuk ka pasur pushim pranveror, mund të furnizohemi me dru nga paralelja e ndarë në Davidovc që funksion në kuadër të kësaj shkolle dhe e cila ka dru mjaftueshëm”, deklaroi Fejzullahu.

Në shkollën “Emin Duraku”, mësimet i vijojnë rreth 600 nxënës.