Arbëri

Rreth 600 komente për rritjen e çmimit të rrymës

Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë prej 15 për qind është kundërshtuar të premten nga Zyra e Presidencës së Kosovës. Në komentet dorëzuar pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në ditën e fundit të afatit, ky institucion e ka propozuar largimin e TVSH-së prej 8 për qind nga faturat e energjisë elektrike. Nga ZRRE-ja kanë bërë të ditur se kanë pranuar edhe komente nga KEDS-i, KESCO-ja, KOSTT-i, nga organizata të shoqërisë civile dhe nga rreth 600 konsumatorë

Heqjen e TVSH-së prej 8 për qind për energji elektrike e ka propozuar Zyra e Presidencës së Kosovës në komentet e dorëzuara pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e kundërshtuar paralajmërimin për rritjen e çmimit të rrymës prej 15 për qind.

Kjo masë, e cila është propozuar edhe në komentet e dorëzuara nga organizata të shoqërisë civile, sipas Presidencës do të kontribuonte në menaxhimin e situatës dhe do të ndihmonte në shmangien e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Presidenca ka kërkuar po ashtu nga ZRRE-ja që të insistojë për një dialog me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë e subvencionimit për konsumatorët e prekur nga rritja e çmimeve.

“Praktika të tilla janë përdorur edhe në vitin 2022 gjatë shqyrtimit të tarifave, ku pjesa e subvencionimit ishte përfshirë në llogaritjen finale të tarifave. Kostoja për Qeverinë do të kishte efekt më të vogël në krahasim me ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe pasojat e saj në rritjen e inflacionit”, thuhet në komentin e Presidencës.

Sipas Presidencës, propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe e injoron situatën ekonomike si dhe aspektin e mirëqenies në vend.

Në komente është theksuar gjithashtu se një shtrenjtim i tillë do të sillte barrë të madhe për qytetarët. Në Presidencë kanë thënë se “ky veprim do të mund të shkaktonte valë të re inflacioni në vend dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”.

“Rritja e çmimit të energjisë ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare. Kjo do të përfshinte edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera thelbësore”, thuhet në komentin e dërguar nga Presidenca.

Si masë e menjëhershme nga Presidenca propozohet mirëmenaxhimi i shpenzimeve dhe i humbjeve, subvencionimi i energjisë, identifikimi i masave shtesë për obligimin e pagesës së faturave mujore në veri, largimi apo reduktimi i përkohshëm i TVSH-së për energjinë elektrike, dizajnimi dhe prezantimi i programit të shtyrjes së pagesave. Masa më afatmesme janë rekomanduar menaxhimi efikas i KEK-ut dhe planifikimi i burimeve energjetike, rritja e efikasitetit të furnizimit me energji dhe vazhdimi i programeve të efiçiencës.

E si masa afatgjata, nga ky institucion janë rekomanduar ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike dhe marrëveshja për tregtinë ndërkufitare me shtete aleate.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se edhe nga Qeveria kanë dorëzuar komente lidhur me këtë proces, porse nga ekzekutivi nuk kanë njoftuar lidhur me përmbajtjen e këtyre komenteve.

Në ditën e fundit të dorëzimit të komenteve, ZRRE-ja ka pranuar të tilla nga KEDS-i, KESCO-ja, KOSTT-i, nga organizata të shoqërisë civile, si INDEP, Ballkan Green Foundation, dhe rreth 600 komente nga konsumatorët.

Në ZRRE kanë bërë të ditur se këto komente do të publikohen në faqen e saj të martën.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, të premten nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me këtë proces, as para dhe as në fund të mbledhjes së bordit të këtij institucioni.

“Treguam në fillim të këtij takimi, besoj e keni marrë konfirmimin”, ka thënë shkurtimisht Ymeri.

E gjatë ditës disa qytetarë në grupin “Asnjë centë më shumë” kanë shprehur shqetësimin për bllokim të sistemit të dërgimit të komenteve, por ky pretendim është mohuar nga ZRRE-ja.

“Në lidhje me disa reagime nga qytetarët se kanë raportuar rreth vështirësive në lënien e komenteve dhe bllokime të sistemit të pranimit të komenteve gjatë periudhës së fundit, Zyra e Rregullatorit për Energji dëshiron të bëjë të ditur se të gjitha komentet e dërguara nga qytetarët janë marrë në shqyrtim dhe nuk ka pasur asnjë bllokim të pranimit në e-mail adresën e dedikuar për komente”, është thënë në sqarimin e ZRRE-së.

Përfaqësues të këtij institucioni kanë bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të tarifave do t’iu përgjigjen komenteve të qytetarëve. Vendimi për tarifat e reja pritet të merret para datës 15 prill, ndërsa efekti i tyre do të jetë retrokativ dhe do të llogariten nga data 1 prill.