Shumë më i madh se 30 është numri i personave që dyshohet se u përfshinë në sulmin e së dielës ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit. Autoritetet nuk kanë folur zyrtarisht për këtë numër dhe as për mënyrën se si ikën ata. E, burime të KOHËS treguan se rreth 10 nga anëtarët e grupit mbërritën në Serbi të plagosur, në mesin e të cilëve edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.
Dyfishi i numrit të personave të raportuar zyrtarisht, dyshohet se i përkasin grupit paraushtarak që ka kryer veprime terroriste kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Fillimisht nga institucionet kosovare është thënë se numri është rreth 30. Por, burime të KOHËS kanë deklaruar që ky numër besohet se është rreth 60.
Pamjet e xhiruara me dron dëshmojnë momentin e largimit të tyre nga Manastiri i Banjskës, pas përleshjes me policinë.
Në pamje shihet se janë arratisur nën breshërinë e plumbave të Njësisë Speciale të Kosovës.
Disa shihen duke u futur në autoblinda.
Burime të KOHËS kanë treguar se numri i të plagosurve që janë larguar nga Kosova për në Serbi mund të jetë rreth 10. Sipas tyre, imazhet e siguruara nga droni tregojnë se ata janë tërhequr me një mjet të blinduar.
Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë informacione për mënyrën se si janë larguar ata, ndonëse ministri i Brendshëm pati theksuar të dielën se anëtarët e grupit ishin të rrethuar nga policia.
E mediat serbe, prej dy ditësh kanë raportuar se serbë të plagosur që morën pjesë në veprimet terroriste në Banjskë, janë duke u trajtuar në spitalet e Serbisë. Mes tyre kanë identifikuar edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq.
Mediumi “N1” në Serbi, ka raportuar për të paktën dy të plagosur që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore. Sipas këtij mediumi ata kanë marrë trajtimin e parë në spitalin e përgjithshëm të Novi Pazarit dhe më pas janë transferuar në qendra të tjera mjekësore.
Këta dy burra të moshave 26 dhe 29-vjeçare sipas këtyre raportimeve janë parë në kujdesin intensiv të këtij spitali. Njëri ishte pranuar me plagë në krah dhe këmbë, ndërsa tjetri në gjoks, por që plagët raportohet t’i ketë pasur më të vogla për shkak të jelekut antiplumb.
Burime të KOHËS kanë thënë se anëtarët e grupit paraushtarak serb kanë përdorur dy autoblinda për tu kthyer në Serbi.
E një nga autoblindat është në mesin e automjeteve dhe arsenalit luftarak që Policia e Kosovës e ka gjetur një ditë më parë.
“Mjetet e konfiskuara me 25.09.2023 përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm), një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelekë antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”, u tha nga Policia e Kosovës.
Pas sulmit në Banjskë, janë prangosur edhe dy të dyshuar, duke e çuar në tetë numrin e të arrestuarve për këtë rast.