Arbëri

Rreth 40 shtëpi në Kozaricë të Obiliqit, tash e dy muaj pa furnizim me ujë të pijshëm

Temperaturat mbërritën në 39 gradë Celsius, e institucionet vazhdimisht bënë thirrje për kujdes e konsumim të shtuar të lëngjeve. Por gjatë gjithë kësaj kohe, banorët e fshatit Kozaricë të Obiliqit nuk patën ujë.

Edhe pse janë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit, rreth 40 shtëpi të fshatit nuk po furnizohen me ujë të pijshëm tash e dy muaj.

Nexhmi Fazliu, banor i fshatit, tha se janë shtyrë t’u kthehen metodave të shekullit të kaluar.

“Ne jemi duke u furnizuar me bidonë, po marrim kah po mundemi kështu  nëpër çezma shkojmë atje në Stanovc marrim... Po ta kishim këtë problem më herët, nuk do të ndërtoja shtëpi këtu. Katastrofë është kjo punë, të mbushim bidonë ky është problem për vitet e ’50-ta e ’60-ta”, është shprehur Fazliu.

E sipas Fatmir Nimanit, po ashtu banor i Kozaricës, mungesën e furnizimit me ujë po e shkakton një problem teknik. Ai kërkon zgjidhje të shpejtë.

“Nuk është çështja që ka reduktime apo nuk është çështja që nuk ka furnizim e nuk ka as keqpërdorime të ujit, sepse ne njohim njëri tjetrin dhe e dimë. Kur është ndërtuar rezervuari i ujit, pompat pa ndalur punojnë, por problemi është që pjesa jonë e lagjes, rreth 40 shtëpi apo më shumë që kemi mbetur pa ujë, problemi është që gypi që i furnizon këto shtëpi është më lartë i ngritur në rezervuar”, ka shtuar Nimani.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit – Prishtina, mohojnë se po aplikohen reduktime.

“Pompat e ujit janë duke punuar 24 orë pa ndërprerë, nuk ka asnjë problem nga ana jonë, veçse keqpërdorimi i ujit që po ndodh gjithandej, e uji nuk po arrin në disa pika. Por ne nuk jemi duke aplikuar asnjë reduktim”, thuhet nga KRU "Prishtina".

E drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Obiliqit, Naim Miftari, tha se për problemin e kanë njoftuar kompaninë e ujësjellësit.

“Javën e kaluar kemi pasur një takim me kryeshefin e ujësjellësit dhe stafin e tij. I kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Obiliqit. Nga ta kemi marrë zotimin se do të bëjnë përpjekje që brenda një afati sa më të shkurtër ky problem të zgjidhet”, ka potencuar Miftari.

Për mungesën e furnizimit me ujë, banorët e Kozaricës kanë paralajmëruar edhe protestë.