Arbëri

Rreth 4 mijë fëmijë romë e ashkalinj jashtë bankave shkollore

Mijëra fëmijë të komuniteteve rom dhe ashkali janë jashtë sistemit arsimor, me gjithë strategjitë për rritjen e përfshirjes së tyre. Një pjesë e tyre ndjekin shkollat serbe, ku mësojnë me tekste që promovojnë ndarje etnike dhe stereotipe. Kjo situatë ngre shqetësime për integrimin dhe bashkëjetesën ndëretnike në Kosovë

Rreth katër mijë fëmijë nga mosha pesë deri në tetëmbëdhjetë vjeçare të komunitetit rom dhe ashkali janë jashtë bankave shkollore.

Bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë janë rreth 8.500 fëmijë të komuniteti rom dhe ashkali që janë në moshën e ndjekjes së shkollimit të obligueshëm. E sipas Ministrisë së Arsimit (MASHTI), vetëm rreth 4 mijë prej tyre janë të përfshirë në sistemin arsimor.

Për rritjen e përfshirjes së fëmijëve të këtyre komuniteteve në sistemin arsimor në Kosovë është përpiluar një Strategji në vitin 2022.

Që atëherë, numri i përfshirjes së nxënësve në sistemin arsimor ka rënë për 423 nxënës.

Krahas në sistemit arsimor, disa fëmijë të komunitetit rom e ndjekin procesin mësimor në shkollat paralele serbe.

Avni Berisha, përfaqësues i banorëve në lagjen Plemetin, ka thënë se një pjesë e fëmijëve të tyre ndjekin procesin mësimor në shkollat serbe, për shkaqe të gjuhës por edhe të ndihmave që përfitojnë nga shteti i Serbisë.

“Këta banorët këtu, të banesave e gjithë lagjja procesin mësimor e ndjekin në Plemetin, e kanë gjuhën shqipe që shkojnë dhe gjuhën serbe që shkojnë fëmijët, në dy pjesë ndahen ato, në një objekt janë të dy shkollat, ata shkojnë në njërën shkollë, të tjerët në tjetrën, këta fëmijët që janë në gjuhën rome shkojnë të serbët e ashkalinjtë shkojnë te shqiptarët...i marrin edhe ndihmat, edhe librat i marrin, i kanë librat pa pagesë edhe këta serbët”, ka thënë Berisha.

KOHA ka raportuar se nxënësit në shkollat serbe në Kosovë mësojnë me tekste shkollore, të cilat kanë përmbajtje të njëanshme si dhe me shtrembërim të fakteve. Në tekstet e historisë iu referohen masakrave të kryera nga forcat paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë si luftëra të vështira e thuhet se “Ushtria Jugosllave e pati të domosdoshme ta neutralizonte situatën”.

Në strategjinë e Qeverisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali nuk përmendet kjo si shqetësim. 

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, i cili ka qenë pjesë e Komisionit në vitin 2010 për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe, ka theksuar se gjuha e përdorur në tekste serbe nuk ndihmon në bashkëjetesën ndëretnike.

“Kjo është shumë shqetësuese para së gjithave jo vetëm nxënësit serbë por edhe ata romë duhet të kenë ndjenjën e bashkëjetesës me shoqërinë me shumicë në Kosovë, por duke e parë përmbajtjen e atyre teksteve ne mund të konstatojmë ata do të rriten me gjuhën e urrejtës së popullsisë me shumicë në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar nëse përbën shqetësim për institucionin e tyre përfshirja e fëmijëve romë në shkollat serbe. Në një përgjigje për KOHËN, në MASHTI thanë se janë duke u ndërmarrë veprime për ta rritur përfshirjen e fëmijëve të komunitetit rom e ashkali në procesin mësimor.

“MASHTI në vazhdimësi ofron mbështetje për rritje të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të cilët kanë ngecje në mësim përmes programit të mentorimit dhe tutorimit, e cila organizohet në bashkëpunim me OShC.  MASHTI monitoron organizimin e mësimit plotësues për gjuhë dhe kulturë rome për nxënësit e komunitetit rom. Mësimi organizohet në Prizren në katër shkolla, rreth 100 nxënës vijojnë mësimin plotësues”, kanë thënë në MASHTI.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, 146 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë braktisur mësimet gjatë vitit të kaluar shkollor.