Arbëri

Rreth 330 zyrtarë s’e kanë deklaruar pasurinë

Rreth 330 zyrtarë publikë kanë afat deri në mesnatë për ta kryer detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit paralajmëron gjoba për vonesat. Ndërkaq ekspertë ligjorë shprehën shqetësimin që kohëve të fundit gjyqtarët e kanë kategorizuar si kundërvajtje dhe jo vepër penale mosdeklarimin e pasurisë nga zyrtarët

Rreth 330 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, pak orë përpara se të përmbyllet afati.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se afati i fundit ligjor për deklarimin e pasurisë ka vazhduar edhe gjatë ditës së martë. E ka arsyetuar këtë duke theksuar se kur dita e fundit e një afati bie të shtunën, të dielën apo në një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen menjëherë pas.

Drejtor i Agjencisë, Yll Buleshkaj, ka treguar se deri më tash 10 mijë persona e kanë deklaruar pasurinë.

“Secili subjekt deklarues që nuk e kryen këtë obligim deri në përfundim të ditës së sotme, që i bie 23:59, ne menjëherë do të fillojmë procedurat për të shqiptuar gjobat për këto subjekte deklaruese. Secili që vonohet do të llogarisë që agjencia do t’ia dërgojë shumë shpejt një gjobë 30% të pagës së tij”, ka thënë Buleshkaj.

E, Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka ngritur shqetësimin mbi dilemat ligjore që janë krijuar nëse mosdeklarimi i pasurisë duhet gjykuar si vepër penale.

“Tani janë evidentuar raste kur deklarimi i pasurisë po konsiderohet si kundërvajtje nga ana e gjyqtarëve dhe për këtë arsye nuk po mbahen penalisht përgjegjës. Përpos që ka qenë problem deri më tash çështja e politikës ndëshkimore, tanimë kanë lindur edhe këto interpretime që bëjnë problem në trajtimin dhe procedimin meritor të këtyre rasteve”, është shprehur Shala.

Shala tha se ndonëse deklarimi i pasurisë është konsideruar si një nga mjetet më të fuqishme për luftimin e korrupsionit, ai nuk ka dhënë efektet e pritura.

“Deklarimi i pasurisë nuk është qëllim më vete. Është njëra prej mjeteve më të fuqishme kundër korrupsionit që duhet të dërgojë në pista të tjera identifikimin e konfliktit të interesit, mirëpo deri tani fatkeqësisht nuk i ka dhënë rezultatet e nevojshme në praktikë”, ka thënë ai.

Procesi i deklarimit të pasurisë për rreth 12 mijë zyrtarë publikë ka nisur para 12 ditësh. E, gjatë vitit 2024, për shkak të vonesave në deklarim, janë shqiptuar 98 gjoba.