Rreth 2 mijë është numri i pacientëve të cilët janë në pritje për operime të vendosjes së protezave në gjymtyrë në Klinikën e Ortopedisë. Njëri prej tyre, i cili është në listë të pritjes tash e një vit e gjysmë, ka thënë se është njoftuar që për dy operimet e nevojshme në gjunjë do t’i duhej të priste edhe së paku katër vjet të tjerë. E në këtë klinikë kanë thënë që shkaku i mungesës së anesteziologëve nuk do të mund t’i gjendet zgjidhje e shpejtë problemit me pritje
Krist Lekaj nga Klina ka një vit e gjysmë që është në pritje për t’iu nënshtruar dy intervenimeve kirurgjikale në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare (QKUK), për vendosjen e protezave në këmbë.
Por 55-vjeçari thotë se përgjigjja që e ka marrë javën e shkuar nga Klinika e ka zhytur në dëshpërim, pasi që për eliminimin e dhimbjeve që i shkaktojnë vështirësi në lëvizje do t’i duhej të priste edhe katër vjet të tjerë.
“M’i shkruan disa barna, m’i dhanë dy-tri injeksione, të thërrasim, të thërrasim... Përmbi dhjetë herë e kam shkruar numrin e telefonit atje, kurrkush deri më qetash nuk më ka thirrur. Sot shkova përsëri, bisedova me një doktoreshë... Më sa paku, më tha, edhe katër vjet nuk mund të vish në rend. Tha se edhe protezat janë në mungesë, kanë ardhur tha, porse janë duke na ardhur të dobëta. Veç mundesh me ia mësy diku, më tha, në privat”, ka treguar Lekaj.
Sherri i listës së pritjes prej rreth 2 mijë pacientësh në Klinikën e Ortopedisë, Lekaj thotë se dhjetorin e shkuar është detyruar që operimin në unaza të boshtit kurrizor ta kryejë në një spital privat, me kosto afër 5 mijë euro.
E pasi që për operacionet e radhës në gjunjë tek institucioni publik shëndetësor i duhet që të presë edhe katër vjet, Lekaj, i cili është edhe veteran i UÇK-së, ankohet se nuk mund ta përballojë financiarisht edhe një intervenim kirurgjikal në privat.
“Kushtet nuk i kam për ta bërë. Si veteran i luftës që jam, me një pension 200 euro nuk mundem t’ia dal... Të dyja (kushtojnë) diku afër 18 mijë (euro). Pa shpenzime kështu të tjera çka dalin”, thotë 55-vjeçari, tek ankohet se dhembjet që i ndien në gjunjë ia vështirësojnë lëvizjen.
E për t’i dalë në ndihmë, ai thotë se u është drejtuar disa herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave.
“Qeveria nuk ka njëherë përnjëherë, duhet me pasë minimumin e gjashtë mjekëve specialistë me i pasë nënshkrimet, nëse nuk bëhet në spital të shtetit, atëherë mundemi me ju dërgu jashtë shtetit. Spitali i shtetit thotë bahet, por duhet me pritë. D.m.th. kjo është. Spitali i shtetit nuk të thotë jo, doktorët nuk të thonë jo, por thonë duhet me pritë. Me prit unë edhe katër vjet kështu, përditë e më tepër veç jam duke e lënduar boshtin kurrizor prapë”, ankohet Lekaj.
Në Klinikën e Ortopedisë kanë thënë se për çdo ditë kryejnë operime nga lista e pritjes, porse nuk e kanë treguar numrin e intervenimeve që bëhen.
Në grumbullimin e rasteve kanë pasur ndikimin mungesa e anesteziologëve si dhe mosfurnizimi i qëndrueshëm me material.
Xhavid Gashi, drejtor i Klinikës së Ortopedisë, ka thënë se nga 6 anesteziologët që i ka pasur Klinika në të shkuarën, tash janë vetëm 3, dy prej të cilëve angazhohen edhe në Klinikën e Mjekimit Intensiv.
“Pa anesteziolog vështirë është që të realizohet plani B ose C për numër më të madh të vendosjes së protezave. Me keqardhje ju informojmë se derisa të kemi mungesë të anestezionit nuk do të kemi mundësi të përmirësimit të gjendjes”, ka theksuar ai.
Ortopedia është njëra prej klinikave të QKUK-së me listën më të gjatë të pritjes. Pacientët aty vihen në pritje kryesisht për operime të vendosjes së protezave të gjurit, të kërdhokullës, si dhe për intervenime në ligamente.