Arbëri

Rreth 12 mijë zyrtarë do ta deklarojnë pasurinë në vitin 2025

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj

Deklarimi i pasurisë për rreth 12 mijë zyrtarë ka nisur para 12 ditësh dhe do të vijojë deri në fund të muajit mars. Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se ky proces përfshin figura të larta shtetërore si presidenten, kryeministrin, deputetët, si dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë hetuesit e policisë, zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), doganierët dhe të tjerë.

Sipas tij, deri më tani rreth 1 mijë zyrtarë e kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë, ndërsa 1 mijë të tjerë kanë nisur procesin në sistemin elektronik, i cili mundëson monitorimin në kohë reale.

Buleshkaj në emisionin “SOT” të KTV-së ka apeluar që deklarimi të bëhet sa më herët, për të shmangur gabimet nga ngutia e ditëve të fundit. Ai ka rikujtuar se vonesat ndëshkohen me gjobë prej 30% të pagës, ndërsa pasaktësitë mund të sjellin pasoja ligjore, përfshirë gjoba apo dënime me kusht nga gjyqësori.

“Zyrtarët që kanë ndryshime të vogla nga deklarimi i vitit të kaluar e kanë më të lehtë përditësimin, pasi të dhënat e tyre janë të ruajtura në sistem, dhe procedura mund të kryhet brenda pak minutave”, ka thënë ai.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit vijon monitorimin e procesit për të garantuar transparencë dhe zbatim të ligjit.