Nxënës të përzgjedhur të shkollave të mesme nga e gjithë Kosova i kanë testuar njohuritë në lëmin e ekonomisë, në kuadër të Raundit Kombëtar të Olimpiadës së Ekonomiksit. Më të dalluarit e këtij rundi do t’i nënshtrohen më pas edhe një testimi tjetër ndërkombëtar. E pas tij, pesë më të mirët do ta kenë mundësinë që ta përfaqësojnë Kosovën në finalen ndërkombëtare, e cila do të organizohet në Athinë
Njohuritë dhe aftësitë në lëmin e ekonomisë, rreth 100 nxënës të shkollave të mesme në nivel shteti i kanë shpalosur të shtunën në Rundin Kombëtar të Olimpiadës së Ekonomiksit.
Disa prej nxënësve që morën pjesë në të tretën garë të kësaj natyre, e cilësuan olimpiadën si mundësi për të fituar përvojë për të ardhmen.
“Janë të rëndësishme mjaftueshëm, për shkak se e kemi një eksperiencë të re dhe mund të na ndihmojnë edhe më larg, nëse duam të orientohemi për ekonomi. Gara në përgjithësi ka qenë shumë mirë dhe kemi kaluar shumë mirë”, ka thënë nxënësja Luriza Ahmeti.
Në superlativ ka folur edhe nxënësja tjetër, Fjolla Hasani.
“Organizimi, testi gjithçka ka shkuar shumë mirë. Kemi qenë shumë të kënaqur me organizimin dhe me stafin akademik. Nuk ka pasë ndonjë parregullsi”, ka thënë ajo.
Më të dalluarit e këtij rundi do t’i nënshtrohen më pas edhe një testimi tjetër ndërkombëtar. E pas tij, pesë më të mirët do ta kenë mundësinë që ta përfaqësojnë Kosovën në finalen ndërkombëtare, e cila do të organizohet në Athinë të Greqisë.
“Për mua në nivel personal është shumë e rëndësishme, sepse kam ardhur ta testoj veten a po di, dhe të shoh se qysh jam me ekonomi, por edhe të provoj a po mund ta përfaqësoj Kosovën në Greqi dhe po ashtu shkollën time”, ka thënë nxënësi Berat Damari.
E Alma Bajramaj, përfaqësuese e Institutit Riinvest, që është organizatore e olimpiadës, theksoi se interesimi i nxënësve për pjesëmarrje në këtë testim është rritur nga viti në vit.
“Janë ftuar rreth 100 nxënës nga rreth 30 shkolla të mesme të Kosovës, të klasave të 12-ta, të cilët garojnë për të marrë pjesë në garën internacionale që do të mbahet në Athinë të Greqisë. Duke marrë parasysh vitet e kaluara, ku kjo garë ka qenë e panjohur, meqë në vend nuk kemi organizime të tilla, çdo vit e më shumë shohim një interesim më të madh si nga nxënësit, ashtu edhe nga shkollat”, ka thënë ajo.
Finalja e Olimpiadës së Ekonomiksit në Athinë do të mbahet në gusht të këtij viti.