Përfaqësues të bizneseve nga Arabia Saudite, Finlanda, Gjermania, Luksemburgu, Austria, Çekia dhe vende të rajonit po marrin pjesë në panairin treditor, që është hapur të mërkurën. Pjesëmarrësit thanë se kjo ngjarje do t’u shërbejë bizneseve vendore për ta zgjeruar tregun edhe jashtë Kosovës.
Është hapur panairi ndërkombëtar “Prishtina 2024”, në të cilin po marrin pjesë rreth 100 kompani nga Arabia Saudite, Finlanda, Gjermania, Luksemburgu, Austria, Çekia e vende të rajonit.
Lulëzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike, që e organizon panairin, tha se kjo ngjarje do t’u shërbejë kompanive vendore për zgjerim të tregut edhe jashtë Kosovës.
“Panairi ka ofruar vazhdimisht mundësi për rrjetëzime, diskutime dhe shkëmbime të njohurive të praktikave më të mira të biznesit. Është një vend ku bizneset vendore gjejnë tregje të reja, investitorë ndërkombëtar zbulojnë mundësi të reja”, ka deklaruar Rafuna.
E, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lavdëroi qeverinë për veprimet e marra në ekonomi dhe tha se panairi mund të ndikojë edhe në përmirësimin e bilancit tregtar.
“Ngjarje si kjo nxisin eksportet dhe diversifikimin e ekonomisë sonë, tërheqin turist dhe gjenerojnë të ardhura për bizneset lokale, duke kontribuar kështu në ekonomi më të fortë e më dinamike në Kosovë”, ka thënë Bislimi.
Organizimi i Panairit është përkrahur nga USAID-i.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të këtij misioni, Kerry Monaghan-Hogler, veçoi një sektor ekonomik i cili, sipas saj, po performon shumë mirë edhe në tregun e jashtëm.
“Kur njerëz nga bota, përjetojnë kualitetin e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës për herë të parë, zakonisht duan më shumë. Ta marrim si shembull sektorin e përpunimit të drurit – brenda 4 vjetëve nga 2019 deri në 2022, rritja e kësaj industrie gjeneroi 200 milionë euro në eksporte”, ka thënë Monaghan-Hogler.
E përfaqësuesi i bizneseve të Arabisë Saudite, Abdulrahman Almufarreh, u bëri ftesë afaristëve kosovarë për vizitë.
“Ne do të njoftojmë për fillimin e fluturimeve direkte nga Arabia Saudite në Kosovë deri në fund të këtij viti. Ne i ftojmë partnerët tanë nga Kosova dhe e tërë Evropa që të vijnë në Arabinë Saudite, të përjetojnë mundësitë e shumta në fusha të ndryshme”, ka thënë Almufarreh.
Panairi organizohet në Qendrën e Biznesit në Çagllavicë dhe do të zgjasë tri ditë.