Rruga malore që lidhë dy fshatra të Rugovës, Llutovë dhe Pepaj, është dëmtuar në kilometrin e saj të pestë, në hyrje të fshatit Pepaj në mbi 50 metra gjatësi nga rrëshqitja e tokës, e cila përveç që ka dëmtuar rrugën e asfaltuar, ka çarë edhe murin mbrojtës.
Sipas drejtoreshës për Shërbime Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, rrëshqitja e tokës ka ndodhur nga kushtet klimatike.
“Reshjet atmosferike kanë ndikuar në rrëshqitje masive të dheut dhe e ka dëmtuar rrugën dhe murin mbrojtës. Sipas inxhinierëve tonë, ka qenë një shkallë e rrezikut goxha e lartë e rrëshqitjes së dheut, pasi aty ka lëvizur një pjesë e kodrës. Kjo është pasojë e forcave madhore”, thotë Çeku-Kelmendi.
Ajo thotë se komuna do ta krijojë një komision që të vlerësohet dëmi dhe të bëhet një ekspertizë e të konstatohet se a kanë qenë kushtet klimatike ato që kanë dëmtuar rrugën apo ishte lëshim i punëkryesit.
“Shihet se rruga është dëmtuar nga rrëshqitja e tokës, dhe nëse konstatohet nga ekspertiza e komisionit se kushtet klimatike kanë shkaktuar edhe lëvizjen e dheut, atëherë komuna e merr përsipër sanimin e rrugës. Por nëse ekspertiza konstaton se edhe operatori ka bërë ndonjë mosrespektim të paramasës dhe planit të punës, atij do i bie barra e sanimit të rrugës”, tha Çeku-Kelmendi.
E deri të sanohet dëmi në rrugë, popullata e asaj ane ka mundësi të qarkullimit në një rrugë Koshutan-Pepaj, e cila aktualisht është e mbyllur nga bora, por sipas komunës, operatorët ekonomik shumë shpejtë do e pastrojnë.
Për dëmtimin e kësaj rruge, opozita numëron edhe fajtore të tjerë, pos kushteve klimatike
Kryetari i AAK-së në Pejë, Arbër Grabovci, pohoi se investimet që po bëhen në rrugë të Rugovës po behën sikur në rrugët e rrafshit të Pejës, e do të duhej të bëheshin ndryshe sipas tij.
“Atje janë kushte tjera. Nuk mund të ndërtosh rrugë me kualitet të njëjtë si në Rugovë si në ndonjë fshat në rrafsh. Punimet kanë qenë të dobëta për një rrugë malore. Atje janë kushte tjera dhe punimet duhet t’i përshtaten terrenit ku ndërtohet rruga, se edhe dheu rrëshqet. Pra problemi nuk është vetëm te kushtet klimatike, por se rruga është ndërtuar pa iu përmbajtur rrethanave dhe mundësive që mund ndodhin në një rrugë malore”, tha Grabovci.
E heshtur nuk ka qëndruar as dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, e cila ka kritikuar pushtetin në Pejë, se projektet e saja rrugore qëllim themelor nuk e kanë rregullimin e mirëqenies së qytetarëve, por marrjen e votës.
“Këto projekte rrugore nuk mund të jenë teknikisht cilësore. Rruga Llutovë-Pepaj është dëmtuar në masë të madhe duke u bërë të pakalueshme, ndërsa shumë rrugë të tjera në fshatrat e Rugovës janë dëmtuar, sepse paraprakisht nuk kanë pasur analizë teknike e pastaj nuk janë mirëmbajtur. Reshjet e borës dhe shiut në Rugovë nuk janë të pazakonshme, prandaj arsyetimi i pushtetit se dëmtimet janë pasoje e forcave madhore, tregon që këta nuk i njohin as termat e kontratave”, thotë nënkryetari i VV-së në Pejë, Taulant Kelmendi.
Projekti i kësaj rruge të ndërtuar para dy vjetëve, ka qenë i Komunës dhe është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila e ka bërë edhe pranimin teknik, kurse procedurat tenderuese i ka kryer Komuna e Pejës.
Punimet janë mbikëqyrur nga Ministria dhe Komuna.
KOHA ka tentuar ta kontaktojë mbikëqyrësin e mirëmbajtjes së rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës për Rajonin e Pejës, Sami Maloku, i cili ka qenë edhe menaxher i kontratës për projektin e kësaj rruge, si dhe inxhinierin e Komunës së Pejë, Ilir Kelmendi, që ka qenë mbikëqyrës i punimeve nga ana e Komunës, por asnjëri nuk e hapte celularin.