Edhe tri vila pa leje janë rrënuar të premten në Orllan të Podujevës, përreth liqenit të Batllavës, ka konfirmuar Inspektorati i Komunës së Podujevës.
“Sot ka vazhduar aksioni i Drejtorisë së Inpeksionit për rrënimin e vilave pa leje në zonën II në afërsi të Liqenit të Batllavës. Ky aksion ka filluar muaj më parë, por për shkak të problemeve që janë shfaqur gjatë ekzekutimit të vendimeve nuk është përmbyllur ende. Gjatë ditës së sotme janë rrënuar tri vila pa leje dhe aksioni do të vazhdojë deri në zbatimin e plotë të të gjitha vendimeve të nxjerra nga Drejtoria e Inspeksionit”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Sipas zyrtarëve komunalë për objektet që ka pasur edhe vendim të Ministrisë për rrënim, janë rrënuar të gjitha objektet pa leje në zonën II, kurse ka mbetur vetëm edhe një objektet në zonën III që ka vendim të Ministrisë për rrënim. Për të gjitha këto objekte që janë rrënuar në Orllan paraprakisht janë disa herë inspektorët komunalë i kanë ndalur punimet dhe u kanë shqiptuar gjoba pronarëve, por prapë i kishin vazhduar punimet.
Përreth liqenit të Batllavës ka ende objekte pa leje, por që për to ende nuk ka vendim përfundimtar për rrënim.
Rrënimet kanë rifilluar, pasi Komuna lidhi kontratë të re me një operator tjetër ekonomik.
KOHA ka raportuar vitin e kaluar se si mali ishte prerë për t’u hapur rrugë ndërtimeve të vilave luksoze në fshatin Orllan.