Arbëri

Rregullimi i shtratit të Lumbardhit mund të ndikojë në zhdukjen e troftës autoktone

Ka vite që në Lumëbardhin e Pejës është i ndaluar peshkimi i troftës së egër autoktone, e cila me vite është duke iu ekspozuar rrezikut për zhdukje, kjo edhe nga degradimi i lumit dhe ndotja e tij.

Një rrezik asaj i është shtuar edhe nga Komuna me ndërtimin e pragjeve të larta në shtratin e Lumëbardhit nga pjesa nën Patrikanë e deri te “Ura e Gurit”.

Këto pragje kanë ngritur shqetësimin e ambientalistëve, pasi, sipas tyre, do të ndikojnë drejtpërdrejt në ekzistencën e troftës, e cila nuk mund t’i kalojë pragjet dhe të kthehet prapa në vendin ku i lëshon vezët dhe ku shumohet, raporton KOHA.

“Unë nuk e di a janë inxhinierë apo amatorë ata që i kanë punuar këto penda, të cilat ishte dashtë të punohen në mënyrë harkore dhe të lihen dy vrima ku peshqit kishin mund me pas qasjen për me u ngjit lumit përpjetë. Kur ka ujëra shumë, peshku zbret të poshtë, ndërsa kur bije niveli i ujit ngjiten të nalt. Shumë shpejtë, shumë shpejtë, Peja me këto penda, ka me hup edhe peshkun autokton që e kemi na troftën e egër”, ka thënë Xhevdet Belegu, ambientalist i zëshëm nga Peja.

Këto pragje, siç tregojnë në shoqatën e peshkatarëve “Trofta” në Pejë, ngadalësojnë rrjedhën e lumit dhe ngrenë temperaturën e ujit e që nuk i konvenon troftës, në veçanti gjatë muajve të verës.

“Në fakt, në atë periudhë mundohet me mbijetua. Me gjet një ambient ku mundet me ju përshtatë do të thotë me tejkalua, sepse trofta është edhe ashtu e ndërtuar që gjithmonë mundohet me gjet rrjedhën e lumit ku ka rrjedhë më të fuqishme. Krejt kjo për arsye sepse i nevojitet më shumë oksigjen sesa peshqve tjerë që jetojnë në lumenjtë e ndryshëm të Kosovës”, ka thënë Eroll Grapci, kryetar i shoqatës së peshkatarëve “Trofta”.

E këtë fakt në Komunën e Pejës nuk e kanë marrë parasysh, e as nuk kanë kontaktuar ndonjë ekspert, siç pranojnë në komunë, për të marrë ndonjë vlerësim për ndikimin e pragjeve të tilla në ekzistencën e troftës.

“Janë disa projekte është ndërtimi i mureve mbrojtëse, është shëtitorja dhe ndër a është projekti i veçantë edhe ndërtimi i këtyre pragjeve. Mirëpo, as i përket peshkut troftës, nuk besoj që paraqesin rrezik. Edhe pse nuk jemi konsultuar me ekspertë të fushës së tillë. Sepse na kemi kqyr disa faktorë tjerë, ngadalësimin e rrjedhës së ujit, është pastrimi i lumit, është pamja optike, dhe jemi fokusuar më shumë në këta faktorë”, ka thënë Xhevahire Çeku- Kelmendi nga komuna e Pejës.

Lumëbardhi ka qenë i pasur me lloje të shumta të specieve, por degradimet ndër vite dhe ndotja e tij nga ujërat e zeza e të kontaminuara kanë zhdukur ngjalën, gaforren, mrenën... e i ka mbetur vetëm trofta.