Arbëri

I mbijetuari i masakrës së Izbicës: Ecke gjaku nëpër fytyrën teme, mendova se kisha vdekë

Milazim Thaçi është njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Izbicës së Skenderajt, ku forcat serbe vranë 147 civilë shqiptarë më 28 mars të vitit 1999. Ai ka dhënë një rrëfim mjaft emocionues teksa tregon se si i shpëtoi ekzekutimit të forcave serbe, duke qëndruar nën dy kufoma. Pohon se kishte menduar se ka vdekur kur pa gjakun që i rridhte në fytyrë.

Thaçi në “60 Minuta” të KTV-së e ka treguar në detaje të gjithë rrugën që e ka kaluar para dhe pas masakrës së Izbicës. Ai gjithashtu është dëshmitar në Tribunalin e Hagës, por thotë se nuk është ftuar kurrë për intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Thaçi, që vjen nga fshati Brojë i Skenderajt, e nis rrëfimin duke treguar se si shkuan në fshatin Izbicë, pasi ajo zonë u konsiderua si “zonë e lirë”. “Po çfarë zonë e lirë, aty na erdhën serbët”, thotë ai.

“Masakra nisi më 24 mars kur NATO i ra Serbisë. Na kemi ik prej katundi, prej Broje, dhe kemi shku në Izbicë pasi u shpall zonë e lirë. Kemi nejt aty deri më 28 mars, ka qenë dita e Kurban Bajramit. Atë ditë na thanë merrni traktorët, tubohuni se do të ikim për Shqipëri. I tubuam krejt, ja nisem me hangër bukë, veç kur erdhën tre serbë. Shkova unë, iu afrova për m’i pyet se çka po duan, ata më thanë ‘qit pare, qit, 1 mijë marka’. I thash që veç 50 marka se s’kam tjera. Ishin të veshur me mantilla të ushtrisë jugosllave. I mbushën xhepat me pare prej neve, po unë si me pas dit i thash një kushëriri që po dojnë me na bo kërrsh. E kaluam atë, ja nisem me hangër bukë, veç kur kanë dalë forcat serbe si prej dheu e ja kanë nis me gjujt. Na veç këqyrshmi çka po bëhet. I ndan gratë veç, burrat veç. Thoshin ‘çoni tre gishta, çoni’. Gratë bërtitshin”, rrëfen me emocion Thaçi.

Në detaje e tregon edhe momentin dhe fjalët e komandantit të ushtrisë serbe që jep urdhër për të kryer masakrën, dhe më pas si veprojnë ushtarët pas urdhrit të marrë.

“Komandanti kryesor ka qenë në tesha të ushtrisë. Kur u ardh aty, ja boni ushtarëve serbisht që gjithkush e di çka me bo punën e vet, edhe tha ‘menjëherë me ia nis’. Na ndan në grupe dhe na thanë që do ju qojmë me autobus disa në Pejë e disa në Klinë. Po çfarë autobusi në mal bre. Grupi jonë ishim kanë 33. Na ka çuar në një përrua të malit. Na kanë thënë me iu kthy shpinën atyre dhe na kanë ulur në gjunjë. Na kanë gjuajtur tre herë, qata e kom ni. Unë s’di as vetë qysh kam shpëtuar. Unë nashta kom ra para të tjerëve. Dy kufoma i kom pas mbi vete, Uk Thaçin dhe Isuf Shalën. Ecke gjaku në shpin teme, nëpër kry, nëpër fytyrë, unë kisha kam vdekur. Unë s’kam lëvizur. E kanë sjell grupin e dytë, s’e kom dit sa janë kanë, nja 20 metra larg neve. Unë s’bojsha zë. Aty s’ka shpëtu askush. E kanë pru grupin e tretë, e aty ka shpëtu Ajzer Kotolli. Grupin e katërt e kem pas nja 500 metra, veç armët i kom ni. 40 minuta i kom mbajt kufomat përmbi. Kur jam çu, e kam pa që kish shpëtu edhe një Jetish Qallapeku, por ai na humbi rrugës, na u largu”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka treguar se katër shenja të fishekëve i ka pasur në bluzë, por asnjë s’ka depërtuar në trupin e tij. Tregon edhe momentin kur i kanë varrosur viktimat e masakrës e më pas zhvarrimin e tyre nga forcat serbe.

“Masakra ka ndodh të dielën, ne të mërkurën i kemi varrosur 147 kufoma. Më 30 maj, forcat serbe kanë nisur zhvarrimin e trupave, edhe i kanë rrafshu varret. Unë s’i kom pa, po thojshin njerëzit që i kanë pa”, ka rrëfyer ai.

Thaçi ka thënë se pas 17 ditëve që nga dita e masakrës ka dëgjuar për familjen e tij, e cila ishte nisur për në Shqipëri.

Thaçi ka treguar se Prokuroria Speciale e Kosovës asnjëherë nuk e ka ftuar për intervistim. Zhgënjim ka edhe për punët që kanë bërë qeveritë në zbardhjen e krimeve serbe.

“Jo, asnihere s’më kanë thirr. Zoti i marroftë. U desh me më thirr. Krejt qeveritë kanë bë pak për zbardhjen e këtyre masakrave, torturave që kanë bërë serbët. I bëj apel Qeveria me këqyr deri në kufomën e fundit, me i gjet e me u marrë vesh me ta [serbët]”, thotë në fund të rrëfimit Thaçi.

Sot [e martë], u shënua 24-vjetori i masakrës së Izbicës. Krerë institucionalë vizituan fshatin, teksa e quajtën Serbinë shtet gjenocidal.