Zana Hamiti, drejtoreshë e Qendrës për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, ka rrëfyer historinë e një gruaje e cila ka përjetuar dhunë nga bashkëshorti i saj për 50 vjet.
Hamiti në emisionin “Konfront” të KTV-së ka treguar për një grua e cila është keqtrajtuar nga bashkëshorti vazhdimisht për shkak se kishte lindur shtatë vajza.
“Qe sa vite që unë punoj, e kisha veçu një rast që për 50 vjet me radhë një grua ka përjetuar dhunë në familje. Deri sa iu ka tepruar dhuna, vetë nuk e ka marrë guximin që ta paraqesë dhunën por vajzat e saj e kanë paraqitur babanë e tyre që ka qenë dhunues i vazhdueshëm. Dhuna ka filluar qysh në vitet e para të martesës, kur e ka lindur vajzën e dytë. I ka lindë shtatë vajza, merreni me mend pas çdo lindje çfarë dhunë ka përjetuar. Pse ka lindë vajzë. Menjëherë pas procesit të lindjes ajo tregon qysh është rrahë, është largua nga shtëpia, e ka lënë në oborr në kohë të ftohtë. Pas sa viteve ajo vjen në strehimore, me ndihmën e vajzave është larguar nga strehimorja dhe është vendosur larg shtëpisë së burrit”, ka rrëfyer ajo.
Rrusta: Shqetësuese që "16 Ditët e Aktivizmit" organizohen nën patronazhin e MD-së
Aktivistja politike Teuta Rrusta, ka thënë se është shqetësuese që “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” po organizohen nën patronazhin e Ministrisë së Drejtësisë.
Rrusta ka thënë se duhet të jetë aktivitet i shoqërisë civile.
“’16 Ditët e Aktivizmit’ edhe si histori, është në konfrontim me autoritetin e pushtetin. Nuk është e integruar dhe as e integrueshme brenda saj. Më ka shqetësuar që është viti i tretë që Ministria e Drejtësisë e organizon një gjë të tillë. E di se ka qenë aktivitet i shoqërisë civile...E shoq shqetësuese kur më vjen ftesa edhe nga Ministria e Drejtësisë. Shteti është diçka dhe shoqëria është diçka më shumë se shteti. Nëse nuk ekziston ky tension e konfrontim, atëherë do të shohim që pushteti e integron komplet aktivizmin brenda vetes, çështjet e kauzave, e në fund e bën këtë për pushtet”, ka thënë Rrusta në “Konfront” të KTV-së. “Mos të harrojmë se më 2022, mes ditëve të aktivizmit, më 30 nëntor ishte kur u vra një grua shtatzënë në oborrin e spitalit. Kryeministri shkroi komunikatë që tha dy shqiptarë më pak. Kjo më lë të kuptojë se kryeministri e ka më të rëndësishme se çfarë etnike i përket viktima”.
Kastrati: Meshkujt kanë frikë nga shkollimi i gruas
Psikologu Rron Kastrati ka thënë se meshkujt kanë frikë nga shkollimi dhe avancimi i gruas për shkak që kanë krijuar iluzion se ato mund të degjenerohen.
Sipas Kastratit, problemi i dhunës ndaj grave në Kosovë është në dy ekstreme.
“Problemi i dhunës ndaj grave në vendin tonë është në dy ekstreme. E para është heshtja dhe e dyta është frika se mos po mbesin pa kulm mbi kokë. Dhe në anën tjetër kërcënimet që marrin ditë për ditë nga burrat dhunues, por edhe nga meshkujt të tjerë të cilët janë potencialisht dhunues apo abuzues, pozicionin e gruas në shoqëri e bën të cenueshëm. Femrat jo vetëm që janë të cenueshme, por sot ka edhe një problem që duhet ta ezaurojmë, meshkujt kanë frikë nga shkollimi apo avancimi i gruas. Kanë frikë nga iluzioni i krijuar në kokën e tyre se po vjen një modernitet që mund t’i degjenerojë gratë”, ka thënë ai në “Konfront” të martën.
Gjocaj: Mendësinë kapitaliste të bizneseve e kanë edhe institucionet
Shqipe Gjocaj, aktiviste feministe, ka thënë se mendësinë kapitaliste të bizneseve e kanë edhe institucionet shtetëtore, duke folur për punësimin e grave.
Gjocaj ka përmendur disa faktorë që po e bëjnë edhe më shumë jetën e pasigurt për gratë.
“Pasiguria ekonomike për gratë është kritike, duke filluar nga mohimi i pronës, dhunë ekonomike brenda familjes kemi jashtëzakonisht shumë – është kombinim i faktorëve të ndryshëm edhe në familje, edhe në institucione, që vazhdon ta bëjë më të pasigurt jetën për gratë në kuptim afatgjatë. Mendësinë kapitaliste të cilën e kritikojmë shumë që e kanë bizneset, e kanë edhe institucionet”, ka thënë ajo në “Konfront”.