I vështirë e me shumë rreziqe ka qenë evakuimi i pesë kosovarëve nga Afganistani për në Kosovë.
Njëri prej tyre ka qenë edhe Blerat Ukaj, i cili në një intervistë për KOHËN ka përshkuar në detaje mënyrën sesi shpëtoi gjallë duke nisur nga përgjegjësia e udhëheqjes së grupit të tij e deri tek negocimi me talebanët e armatosur.
‘’Ne diskutonim se si do ta ndihmojmë por nuk e dinim se vetëm orët ishin në pyetje dhe gjithçka u përmbys dhe gjithçka u kthye 180 shkallë ndryshe, do të thotë, dhe imagjino në këtë fazë kishim mjete të blinduara të rrethuara te hoteli ynë ku ishim aty dhe grupe të ndryshme të armatosura’’, tha Ukaj.
Ukaj ka rrëfyer edhe tmerrin që ka parë me sytë e tij e që thotë se situata reale në Afganistan është shumë më e rëndë sesa ajo që paraqitet në mediat ndërkombëtare, për shkak të qasjes së tyre të kufizuar në pjesën ku udhëheqin talebanët.
‘’Ne u sulmuam dy herë nga forcat që ishin këtu në hotelin tonë dhe ndërkohë që marrim informacion nga zyrtari ynë afgan që ishte në hotelin që e lamë pas, ai ishte vendosur tashmë në dhomën e sigurisë dhe e vetmja mënyrë ishte përmes internetit ku na tregon se i kishin sulmuar për t’i vrarë dhe i kanë plaçkitur ata pak që kishin mbetur aty’’, tha Ukaj.
Të plotë rrëfimin e Ukajt për qëndrimin e tij 2-mujor në Afganistan mund ta ndiqni prej orës 22:30 minuta në emisionin ‘’Interaktiv’’.