Arbëri

Rrahmani: Një mijë euro në muaj për çiftet që lindin tre e më shumë fëmijë

eman Rrahmani

Koalicioni për familjen ka renditur zotimet me të cilat synon të hyjë në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kandidati i saj për kryeministër, Eman Rrahmani, ka thënë se nuk do të lejojnë ecjen para të agjendave që cenojnë familjen. Ai ka premtuar që çdo grua që lind fëmijën e parë për 2 vjet rresht do të përfitojë nga 500 euro në muaj, ndërsa çdo grua që lind fëmijën e dytë do të përfitojë 750 euro në muaj

Koalicioni për Familjen ka hapur të premten fushatën zgjedhore në Pejë.  Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Eman Rrahmani, ka thënë të kalojnë pragun në zgjedhjet e 9 shkurtit, në mënyrë që, siç tha, të mos lejojnë ecjen para të agjendave që cenojnë familjen.

“Asnjëherë ne Pejë nuk do të përsëriten grafitet në muret e shkollave me flamurë lara-lara e ata të cilët provojnë që në shkollat të futin kurrikula e të futin tekste të cilat i degjenerojnë fëmijët tanë. Ka përfunduar koha kur vajzat përjashtohen me mbulesë, kurrë më nuk do të lejojmë që asnjë vajzë të mos shkollohet në Pejë e në asnjë vend në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Rrahmani ka premtuar shtesa prej 500 eurosh për dy vjet radhazi për gratë që lindin fëmijën e parë, 750-euroshe për fëmijën e dytë e 1 mijë euro në muaj për çiftet që lindin tre e më shumë fëmijë.

“Çdo grua që lind fëmijën e parë, për 2 vjet rresht çdo muaj do të përfitojë nga 500 euro. Çdo grua që lind fëmijën e dytë, çdo muaj do të ketë të drejtën që të përfitojë 750 euro për shkak se kjo është e dinjitetshme dhe duhet të respektohet secila grua dhe secili që punon dhe angazhohet për të mirën e familjes. Gratë dhe çiftet që kanë vendosur që të lindin tre e më shumë fëmijë, do të kenë mbështetje 1 mijë euro në muaj për dy vjet rresht pa ndërprerë”, ka thënë Rrahmani.

Krahas përkrahjes së familjes për rritje të natalitetit, Ferid Agani nga ky koalicion u zotua për reformë gjithëpërfshirëse në shëndetësi.

“Do ta avancojmë rolin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në një ndërmarrje publike të nivelit qendror që do të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”.

Premtime pati edhe për ekonominë. Selim Pacolli nga ky koalicion ka thënë se synojnë krijimin e zonave të lira ekonomike.

“Zona e lirë ekonomike është më se e nevojshme për ekonominë tonë, për bizneset e tona të cilat do të gjejnë foletë e veta, t`i zhvillojnë aktivitetet e veta, duke përfshirë edhe bizneset e huaja ndërkombëtare, të cilave do t’u ofrohet kjo zonë. Ne parashohim që në këto zona ekonomike t`u ofrojmë bizneseve edhe tatimet të cilat nuk do të tatimohen, në këtë rast produktet primare dhe si produkte të tilla do të jenë të lira nga TVSH-ja dhe nga doganat”, ka thënë ai.

Koalicioni për Familjen, mes tjerash, ka premtuar edhe jetësimin e Autostradës së Dukagjinit, ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë e Pejë-Bogë, investime në sektorin e ujërave, mbështetje për agro-turizmin e ruajtjen e mjedisit dhe ekosistemit.