Diku gjashtë muaj më herët, Rrahim Hashimi kishte plane të mëdha për reforma në Partinë Demokratike të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ku kishte bërë publike ambiciet për të udhëhequr me PDK-në, ai kishte shkruar se ka ‘figura gjysmë autokrate’ në këtë parti, që kishin keqpërdorur mekanizmat e partisë për t’u pasuruar.
Por, ai mund të ketë një problem në rrugë e sipër, raporton KTV.
“Jam ftuar nga Prokurori i dhomave të specializuara në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit ...”, ka thënë Hashimi.
Ai ka mohuar të ketë qenë i përfshirë ndonjë krim, por ka hamendësuar se për çka mund të dyshohet.
“Për mendimin tim, nëse kjo prokurori është dhe vepron drejt, hipotetikisht mund të dyshohem për shkelje të disiplinës ushtarake apo tejkalim të autorizimeve ushtarake”, ka thënë Hashimi.
Hashimi bëri të ditur se nuk do të angazhojë avokatë për Specialen, por ai kishte pasur nevojë për avokat në disa raste penale në të cilat është i përfshirë në Kosovë.
Emri i tij lidhet me aferën e njohur si “Sekseri”, ku i akuzuar kishte qenë edhe ish-shefi i Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri, ky i fundit i liruar më pas nga Gjykata e Apelit.
Gjithashtu, ai ka edhe një aktakuzë tjetër nga viti 2015, për të cilën ka raportuar Koha Ditore në shkurt të këtij viti, për mashtrime që kapnin vlerën e gati gjysmë milioni eurosh, por që, për rastin, nuk ishte mbajtur ndonjë seancë, pasi nuk i kishte ardhur radha për trajtim.