Arbëri

Romishtja në kërkim të shpëtimit

Statistikat zyrtare tregojnë se Kosova ka 8.824 qytetarë romë ose 0.5 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Modernizimi i jetës dhe domosdoshmëria e fëmijëve romë që të përshtaten me shumicën ku jetojnë, kanë bërë që ata edhe pavetëdijshëm të heqin dorë prej përdorimit të gjuhës së tyre. Tashmë është një nismë konkrete për ta shpëtuar e fuqizuar atë, dhe aktivistët flasin për domosdoshmërinë e shpëtimit të romishtes

Romët po mundohen që gjuha e tyre të mos përdoret vetëm në familje e në institucionet e komunitetit. Dhe tashmë kanë marrë nismë konkrete që ta ndihmojnë edhe Komunën e Prizrenit që gjuha e tyre të ketë përdorim zyrtar.

“Mund të themi se gjuha rome është në rrezik nga asimilimi, edhe pse është fakti se qe dy apo tri dekada gjuha rome ka filluar edhe të shkruhet”, thekson Avdi Misini, redaktor i programit rom në Radio Kosova, duke shtuar se modernizimi i jetës dhe domosdoshmëria e fëmijëve romë që të përshtaten me shumicën ku jetojnë, kanë bërë që ata edhe pavetëdijshëm të heqin dorë prej përdorimit të gjuhës së tyre.

Fëmijët romë mësojnë herë serbisht e herë shqip në shkolla – varësisht prej vendbanimit të tyre. Ta zëmë, romët në Plemetin të Obiliqit dhe ata të Graçanicës mësojnë serbisht me program shkollor të Serbisë. Të tjerët mësojnë kryesisht shqip në qytetet e fshatrat me shumicë shqiptare.

“Kjo tregon për faktin se është në rrezik, për shkak se tashmë dihet se romët nuk e kanë shkollimin e tyre në gjuhën amtare”, thekson Misini, duke shtuar se romishtja mund të mësohen vetëm si gjuhë fakultative në Prizren dhe në disa komuna të tjera. Por ai thotë se kjo nuk është “e mjaftueshme për ta mbajtur gjallë një gjuhë”.

“Rom – njeri, roma – njerëz”

Misini thotë se romët kanë nisur zhvendosjen nga India drejt Evropës në shekullin e dhjetë. Duke iu referuar të dhënave të Këshillit Evropian, romët e parë shkelën për herë të parë në Kosovë më 1348, kur “mbreti i atëhershëm i Serbisë dhe Bullgarisë, Stefani i Katërt i kishte sjellë disa romë në Manastirin e Prizrenit”, si zejtarë të ndryshëm, thekson Misini. Ardhja e romëve do të vazhdonte edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

Gazetari i Radio Kosovës, Denis Galushi, thotë se fjala rom rrjedh nga gjuha romishte: rom-njeri e roma-njerëz.

“Tashmë janë bërë një milenium e tre vjet që ne emigruam nga India, dhe të vetmen gjë që ne kemi sjellë në Ballkan, në Evropë dhe në kontinentet e tjera ka qenë gjuha”, thekson Galushi në Prizren. “Pra, romishtja është një gjuhë e pasur indoevropiane, që i takon asaj, por ka në vete shumë dialekte”.

Galushi tregon fuqinë simbolike të flamurit rom me gjashtëmbëdhjetë çakrinj, që përfaqësojnë 16 të folme rome. Ai thotë se në Kosovë dominojnë të folmet arli dhe gurbet.

Statistikat zyrtare tregojnë se Kosova ka 8.824 qytetarë romë ose 0.5 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Aktori Fatmir Menekshe, njëherësh drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Durmish Asllano”, është pjesë e projektit “Promovimi i gjuhës rome në Komunën e Prizrenit”. Ai thotë se ligjet e Kosovës ua legjitimojnë romëve kërkesën që romishtja të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në qytetin historik të Kosovës.

“Pra, nëse do të ketë vullnet politik nga autoritetet lokale”, thekson Menekshe.

Reagimet raciste

Dhe reagimet e para në rrjetet sociale pas lajmit për kërkesën e kanë lënduar gazetarin e ri të “Radio Romano Avazo”, Jasir Misini.

“Është shumë interesant vetëm ta vëresh në komente se çfarë racizmi kishte prej komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë dhe prej qyteteve të tjera, ku thonë se gjuha zyrtare rome nuk mund të jetë, mund të jetë vetëm gjuha zyrtare shqipe”, thekson Jasir Misini. “Ka pasur komente shumë pozitive, ka pasur komente shumë negative”.

“Jam rom” – nis poezia e Veron Tarës, i cili ishte pjesë e programeve të “Radio Romano Avazos”, që mund të shihet edhe në kanalin zyrtar të këtij radiostacioni në YouTube. “…nuk jam tamam i bardhë për të bardhët/ e as tamam i zi për të zinjtë…..”, vazhdon Tara.

Mungesa e njohjes së historisë së pakicave ka rezultuar me krijimin e paragjykimeve shoqërore. Shprehje poshtëruese dëgjohen rrugëve e shesheve të qyteteve gjithandej Kosovës. Madje zihen ngoje edhe prej prindërve teksa i qortojnë fëmijët për sjellje të pahijshme.

“Ka pasur edhe mungesë të vetëdijes se janë tu diskriminu”, thekson Jasir Misini, ulur në të njëjtën karrige në studio. Ai ka lexuar komente ku komentuesit tregonin se nuk e dinin se ekziston romishtja.

Menekshe druan se mospërdorimi në institucione publike mund të ndikojë në përshpejtimin e asimilimit të romishtes.

“Në një lagje të Prizrenit mund të dëgjosh gjuhën turke, në një lagje tjetër gjuhën boshnjake dhe në një lagje tjetër gjuhën shqipe, dhe në një lagje tjetër mund të dëgjosh edhe në gjuhën rome. Pra, Prizreni është një qytet, një komunë multietnike, multikulturore dhe multigjuhësore”, thekson Menekshe.

Misini thotë se romishtja rrezikon të shuhet për shkak të mungesës së domosdoshme për mbrojtjen e saj institucionale. Ai thotë se flamuri rom është i periudhës së sundimit osman, si “shenjë e falënderimit dhe kontributit në fushën e farkëtarisë dhe zejeve të ndryshme” të romëve.

Komuniteti rom i Kosovës mori pjesë në Kongresin e Parë të Romëve më 1971 në Londër me albanologun Nusret Seharsoj. Romët në Prizren kishin shoqërinë kulturore e artistike dhe teatrin amator.

“Hajde së bashku ta mësojmë romishten”

Galushi thotë se romishtja në Kosovë është mbajtur gjallë kryesisht brenda rretheve të ngushta rome, megjithëse romët e Prizrenit janë organizuar vazhdimisht edhe në jetën publike kulturore e arsimore.

Profesori i ndjerë Ibrahim Elshani dhe studiuesit Kujtim Paçaku, Marsel Kurtiad dhe Latif Demiri kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për studimin dhe standardizimin rajonal të romishtes, thekson ai

Edhe Menekshe i “Durmish Asllanos” thotë se krijuesit romë kanë lënë gjurmë në jetën kulturore e shkencore të Kosovës.

“Unë jam krenar që jam në një komunë, e cila ka prodhuar gjithnjë njerëz inteligjentë, akademikë e intelektualë që nga shekulli i kaluar”, thekson ai, duke treguar se shoqëria kulturo-artistike, “Durmish Asllano” u themelua më 1969 dhe teatri “Nexhip Menekshe”.

Galushi merr një shembull që tregon pasurinë e gjuhës rome.

“Se sa është gjuha rome e pasur dhe se si një term nuk e përshkruan një fjalë të caktuar, po e merr një shembull: Nëse dikujt i thua ‘Sar Sjan?’ - në këtë rast ‘Si je?’, ka shumë variante që të përgjigjet. Mund të thotë ‘Shuka’, ‘llaçe’, ose ‘mishto’. Gjithçka është me një përkthim; pra ‘mirë’, por me variante të ndryshme”, tregon Galushi në oborrin e ish-kampit të KFOR-it gjerman, ku tani ndodhet redaksia rome e Radio Kosovës. Poshtë, prapa shpinës së tij, shihet pjesa më e madhe e qytetit historik e multietnik të Kosovës.

“Prandaj kjo e tregon fuqinë e zhvillimit të gjuhës rome në vende të ndryshme botërore, edhe pse romët nuk e kanë një shtet të caktuar të jetesës së tyre”, thekson Galushi, duke bërë një thirrje në gjuhën rome për të tjerët: “Hajde së bashku ta mësojmë gjuhën rome”.

Por megjithëse shumë prizrenas joromë flasin me Galushin romisht, ai dhe aktivistë të tjerë do të vazhdojnë betejën që romishtja të gëzojë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar – së paku në Prizrenin që krenohet me multikulturalizmit e vet.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.