Arbëri

Romët në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në varfëri të skajshme

Mehmet Maka nga Plemetini, së bashku me 11 anëtarët e familjes tash e 18 vjet jeton në këto kushte.

Atij i duhet të përballet çdo ditë me mungesë të gjërave më elementare për jetë.

Si kryefamiljar, ai duhet të sigurojë kafshatën e gojës duke punuar punë krahu, raporton KTV.

Maka ndihet i neglizhuar me trajtimin që, sipas tij, kanë institucionet ndaj komunitetit rom.

Në kushte të vështira, e me probleme të shumta jeton edhe Severxhan Kurti, i cili përkujdeset për familjen.

Ai thotë se e ka të vështirë të punojë, pasi që i duhet të kujdeset edhe për babanë e sëmurë.

Kurti tregon se me ndihmat që i ofron shteti, nuk po arrijnë t’i përmbushin nevojat elementare për jetë.

Për të siguruar të ardhurat, vëllezërit e tij duhet të dalin për të shitur kanaçe e metale të tjera, për çka janë detyruar ta ndërpresin shkollimin.

Derisa të tilla familje të komunitetit rom jetojnë në këso kushtesh të vështira, në Ditën Botërore të tyre, Zyra e Kryeministri ka zgjedhur të organizojë koktej rasti për ta në ndërtesë të Qeverisë.