Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Koalicionin e Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, organizuar Konferencën rajonale për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe Takimin vjetor të koalicionit, me fokus në rolin e reformës në drejtësi si një faktor kyç për forcimin e sundimit të ligjit.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, tha se sinjalizimi përbën një mekanizëm efektiv për luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes, duke ndihmuar gjithashtu në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.
“Të gjendur brenda institucioneve publike, zyrtarët publikë kanë informata të shumta për keqbërje dhe shkelje në institucione publike. Sinjalizimi si mjet i fuqishëm për parandalimin e korrupsionit, për ngritjen e integritetit të institucioneve na mundëson që përmes këtij mekanizmi të luftojmë, jo vetëm korrupsionin, por ta bëjmë edhe qeverisjen më të mirë, duke e kthyer edhe besimin e publikut- qytetarëve në institucioneve publike”, tha ai.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, vlerësoi rolin e sinjalizuesve si mishërim i guximit qytetar, duke theksuar se demokracia kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe të ndërtuar mbi të vërtetën.
“Çdo diskutim për këtë temë duhet të fillojë me pranimin e qartë të faktit se sinjalizuesit përfaqësojnë mishërimin e guximit në një botë që shpesh preferon heshtjen para llogaridhënies. Përmes veprimeve të tyre ata na kujtojnë se demokracia nuk është trashëgimi pasive, por përgjegjësi dinamike, e ndërtuar mbi të vërtetën, guximin për të folur hapur dhe vënien e besimit në vlera dhe ideale për të mirën publike përpara interesave personale, me vetëdije të plotë për pasojat që mund të sjellë kjo zgjedhje. Kështu, guximi i tyre frymëzon”, tha Caka-Nimani.
Jarmo Helppikangas, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, bëri të ditur se është shënuar një rritje prej 30 për qind e rasteve të sinjalizimit, krahasuar me një vit më parë, duke nënvizuar nevojën për zbatim të plotë të ligjeve për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për ta.
“Kemi rritje të sinjalizuesve 30 për qind me periudhën me vitin e kaluar dhe ky është vetëm një element që këto dispozita të zbatohen si duhet. Ky sistem duhet të jetë i besueshëm dhe ata nuk duhet të jenë objekt i ndonjë hakmarrjeje”, tha Helppikangas.
Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), thai se pavarësisht nga përparimet ligjore, korrupsioni mbetet një sfidë serioze në rajon, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Pavarësisht nga zhvillimet pozitive në fushën e legjislacionit, krijimit të sistemeve për marrjen e hetimeve të sinjalizuesve, akoma mbetet shumë për t’u bërë. Korrupsioni vazhdon të mbetet një sfidë e madhe në shtetet e Evropës Juglindore, në të cilat është më i lartë se në vendet e tjera të Evropës. Ngjarjet tragjike të fundit në Novi Sad, por edhe në Maqedoninë e Veriut, kanë treguar se korrupsioni po u kushton qytetarëve, jo vetëm dëme ekonomike, por edhe humbje të jetëve të shumë qytetarëve”, tha ai.
Ndërsa, Nikola Naumovski nga Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), tha se vendet e Ballkanit kanë përafruar legjislacionin e tyre me standardet e BE-së, përfshirë edhe fushën e sinjalizimit.
“Kur ka korrupsion, ka lëngim të sundimit të ligjit dhe për këtë shoqëritë e Ballkanit dhe Evropës Juglindore kanë trajtuar këtë luftë si prioritet edhe për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha ai. /EO