Arbëri

Roli i Kurtit në krijimin e Qeverisë maqedonase, Xhezairi: Ai do ta luajë rolin deri në fund

Seladin Xhezairi, kryeredaktor i “Klubi i Debatit Politik”, ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të ketë rol edhe pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. 

I pyetur se çfarë roli ka kryeministri Albin Kurti në krijimin e qeverisë maqedonase, ai ka thënë se Kurti ka nisur diçka që do ta çojë deri në fund.

“Rol për shkak të implikimit të deritanishëm ai duhet ta luajë rolin deri në fund. Ka qenë këshilltari i tij politik që tha se VLEN-i nga tash është Vetëvendosje dhe këtë nuk e ka këshilltari i VV-së, por këshilltari i kryeministrit që është kandidat”, ka thënë ai në “Interaktiv”. 

Xhezairi ka thënë se shqiptarët nuk duhet të ndikohen nga jashtë, ndërsa ka folur për ndikimin nga Tirana dhe Prishtina. Megjithatë, ka theksuar ai, kryeministri i Shqipërisë nuk u përfshi në zgjedhje ashtu si ai i Kosovës. 

“Edi Rama nuk erdhi këtu të bëjë fushatë, asnjë eksponent i Partisë Socialiste nuk u përfshi për dallim nga eksponentë të lartë të VV-së”, ka thënë Xhezairi ndërsa përmendi shpalljen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, qytetar nderi i Tiranës ditë më parë. 

“Ndikimi nga jashtë te shqiptarët duhet të jetë më me karar, e kam fjalën si për njërin si për bllokun tjetër, si për Tiranën si për Prishtinën. Sepse po t’i shohim, nuk është se nga këto zgjedhje kanë mbetur të kënaqur edhe të Prishtinës edhe të Tiranës me këtë rezultat”. 


Xhezairi: Epërsia e Frontit Evropian ndaj VLEN-it mund të shkojë në mbi 20 mijë vota

Seladin Xhezairi, kryeredaktor i “Klubi i Debatit Politik”, ka thënë se Fronti Evropian në Maqedoninë e Veriut është në epërsi ndaj VLAN-it me një diferencë që mund të shkojë në 20 mijë vota.

“Sipas të dhënave të fundit, Fronti është në një epërsi që burime të brendshme thonë se epërsia mund të shkojë diku mbi 20 mijë vota në favor të Frontit Evropian, me diferencë 4-5 deri 6 mandate më shumë se blloku opozitar, VLEN”, ka thënë ai në “Interaktiv” në KTV.

Xhezairi ka thënë se humbja e Stevo Pendarovski është tërmet politik dhe sipas tij Lidhjes Socialdemokrate, që mbështeste Pendarovskin në zgjedhjet presidenciale, i ka munguar strategjia derisa ka qenë e vetëdijshme për sondazhet që e tregonin humbës.

Sipas burimeve të tij, kandidati i VLEN-it, Arben Taravari, “ka pësuar humbje në qytetin që e drejton, në Gostivar”.

Ndërkaq, Xhezairi ka theksuar se në fushata dy çështje ishin të vetmet që i bashkuan dy kampet politike shqiptare.

“Nëse diçka i ka bashkuar dy kampet politike shqiptare kanë qenë dy kërkesa, përshpejtimi i procesit të integrimit në BE dhe e dyta që presidenti të zgjidhet në parlament e jo në zgjedhje të drejtpërdrejta”.

Xhezairi pret dorëheqje: Taravari humbi në komunën që e drejtoi

Xhezairi ka theksuar se premtimi elektorale se kush humb do të tërhiqet nga politika, ka mundësi të përmbushet në rastin e Taravarit. 

“Në fillim të fushatës ka pasur një zotim nga të dyja palët se kush do humbasë, qoftë edhe për një votë, duhet të japë dorëheqje. Premtime të tilla para elektoratit janë bërë si nga lidershipi i Frontit Evropian, ashtu edhe ai i VLEN-it. Pas këtyre zgjedhjeve, do duhet pritur daljen e një lideri të ri sepse ashiqare Taravari me gjithë mbështetjen nuk ia doli. Nëse i humbi zgjedhjet presidenciale, kjo kapërdihet, por të humbasësh në komunën që e ke drejtuar dhe vazhdon ta drejtosh me një diferencë, sic thonë edhe burimet e mia, nuk është politikisht aq e ndershme sa të mos kesh guximin sidomos nëse ke bërë premtime për tërheqje”.