Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Sipas tij, është e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.
Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde ka thënë të hënën se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.
“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave...Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, ka thënë ai.
Ambasadori gjerman është shprehur se është bërë progres i kufizuar në sesionet parlamentare, duke përmendur mungesën e bashkëpunimit mes partive për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, njëherit deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se bazuar në raporte, Kosova është më e përgatitur se Bosnjë-Hercegovina për t’u anëtarësuar në BE.
“Përderisa ne i gëzohemi rekomandimit për nisjen e negociatave me Bosjën, për qytetarët është vështirë të kuptojmë se pse Bosnja është e gatshme, e Kosova jo. Sipas raporteve, Kosova është më e përgatitur për anëtarësim në BE se Bosnja. Ne duhet të fokusohemi në detyrat e shtëpisë. Në reformën e administratës publike, raporti thotë se nuk është shënuar asnjë progres...Mbetet ende shumë punë për institucionet e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Szunyog: Kosova ka rezultate të mira, duhet edhe sundim i ligjit

Drejtori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ka parë rezultate të mira te Kosova në reformat drejt anëtarësimit në BE, por sipas tij, rezultate duhet të shihen edhe në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
Ai ka thënë se inkuadrimi në BE bazohet në merita dhe varet nga përgatitja e Kosovës “që të bëhet pjesë e BE-së”.
“...Kemi parë rezultate të mira në Kosovs ka nivel të arritjes në disa fusha, krahasuar në disa të tjera. Raporti është rezultat i konsultimeve shumë të komplikuara. Nga perspektiva jonë, procesi është shumë i qartë. Është me unanimitet të punojmë së bashku rreth asaj se si të arrihet ky unanimitet për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe këtu duhet të them që arritja e progresit në dialog është substancial”, ka theksuar Szunyog.
Ndërsa, drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria po performojnë më mirë në Raportin e Progresit.
“Tri herë më mirë se katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përderisa katër vendet e tjera kanë lëvizje nga 2018-2023 vetëm 0.1 drejt anëtarësimit ne BE., Kosova dhe Shqipëria janë tri herë më mirë. Nëse ky trend i reformave vazhdon, atëherë dy vendet e para që do të anëtarësohen në BE janë Shqipëria dhe Kosova (35 dhe 45 vjet). Reformat në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor janë duke shkuar shumë ngadalë. Me pak vullnet nga ana e Ballkanit Perëndimor dhe BE këto afate mund të përshpejtohen”, ka thënë ai.
Sipas Shashës, Raporti i sivjetmë ka pasur fusha ku progresi s’ka qenë i mjaftueshëm.
Ndërsa, Arbresha Loxha, drejtoreshë Ekzekutive në Grupin për. Studime Juridike dhe Politike (GLPS), është shprehur, se sivjet administrata publike është veçuar me përdorimin e shumtë të pozitave me ushtrues detyre.
E, Gëzim Shala nga IKD-ja ka shtuar se progresi sivjet ka qenë i kufizuar për dallim prej vitit paraprak.
“Është një vit i humbur. E kemi pasur një çështje shumë problematike që është shkarkuar drejtori i kësaj njësie (task forcës) gjatë kohës kur një numër kanë qenë duke u hetuar... Problematika është se pasi është shkarkuar drejtori i kësaj njësie dhe është emëruar drejtori, Prokuroria Speciale ka filluar t’i tërheqë lëndët”.
“Raporti i Progresit na e ka dhënë notën 1. Me shumë të drejtë. Kosova nuk ka bërë vullnet politik me bërë ma shumë...Pesë elemente shqetësuese që rrjedhin nga Raporti i Progresit: Ngecja në zhvillimin e legjislacionit. Nuk ka progres. Është pak e vështirë të kuptohet sepse ka vullnet prej shoqërisë civile me u bo pjesë e grupeve punuese... Ligji për KPM-në, për RTK-në dhe mbrojtjen e burimeve nuk janë amandamentuar”, ka thënë Flutura Kusari, juriste e së drejtës së mediave.
Sipas Kusarit, shqetësuese është edh siguria e gazetarëve.
“Z.Sveçla nuk ka marrë asnjë hap të ofrojë sigurinë e gazetarëve. Rreziku më i madh i lirisë së medias dhe lirisë shprehjes është njollosja e gazetarëve. Grupi “Mekryeministrin” ka qenë rreziku më i madh”, ka shtuar ajo.