Arbëri

Rizvanolli për tarifat e reja: Të shtohet edhe numri i blloqeve të konsumit

Artane Rizvanolli

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në RTK Prime ka folur rreth çështjes së tarifave të reja të energjisë. Rizvanolli për rritjen e çmimit të energjisë, tha se Zyra e Rregullatorit për Energji, si institucion i pavarur, ka publikuar raportet konsultative më 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15 për qind. Ajo tha se duhet të shtohet edhe numri i blloqeve të konsumit.

“Në këtë rast dua të sqaroj dy gjëra: e para, vendimi nuk është marrë për strukturën tarifore dhe e dyta, kjo rritje e propozuar nuk është ndarë, nuk është marrë ndonjë vendim apo ndonjë propozim se si do të shpërndahet kjo rritje te kategoritë e caktuara të konsumatorëve, do të thotë te bizneset ose amvisnit ose te amvisnit brenda blloqeve të ndryshme të konsumit”, tha ajo.

Për çështjen se nuk do të jetë një bllok tarifë për të gjithë njëjtë, dhe nuk do të jetë 15% për të gjithë njëjtë, Rizvanolli, tha se ky është vendim i ZRRE-së,  të cilin ata kanë thënë që do ta marrin brenda dy jave në vijim.

“Ne si Qeveri kemi bërë disa analiza dhe kemi dërguar disa komente gjatë procesit konsultativ të cilat do t’i ndaja me qytetarët. E para: kemi propozuar që rritja (çmimit) të zbutet dhe për këtë kemi dhënë disa argumente në bazë të analizave se si mund të ndodhë kjo (zbutja e çmimit). E dyta: të mos preken nga rritja amvisëritë që konsumojnë nën 800 kilovat orë për muaj dhe e treta, të shtohet numri i blloqeve të konsumit duke shtuar një ose më shumë blloqe të konsumit mbi konsumin 800 kilovat orë që e kemi aktualisht”, tha ajo.

Rizvanolli tha se prej analizave që janë bërë, që i kanë marrë prej të gjithë akterëve të sektorit, kanë parë se është një fenomen se një pjesë e vogël prej amvisërive bëjnë konsum te jashtëzakonshëm.

“Për shembull në nëntor të vitit 2024 vetëm 12 për qind e amvisërive kishin konsumuar mbi 1000 kilovat orë për këtë muaj, mirë po këto (amvisëri) kishin konsumuar 39% të konsumit të gjithëmbarshëm. Ose në janar të vitit 2025 9 për qind të konsumatorëve familjar që kanë konsumuar mbi 2000 kilovat orë kishin konsumuar 29 për qind të energjisë së gjithëmbarshme të amvisërive. Pra këto 9% në janar të 2025 kanë konsumuar më shumë se sa komplet 58 % e konsumatorëve të tjerë që nuk e kanë kaluar 800 kilovat orëshin. Nga këto statistika e shohim një koncentrik të konsumit të një numër relativisht i vogël i familjeve dhe nëse i shohim me vlera të importit që duhet të importohet për ta na del se diku në baza vjetore mbi 30 milionë është importi vetëm për këta konsumatorë. Prandaj kemi konsideruar se nuk është e drejtë që të preken ata konsumatorë që konsumojnë nën 800 kilovat orë dhe nuk është e drejtë që të trajtohen njëjtë sikur dikush që konsumon 1000 kilovat orë, si dikush që konsumon 4500 kilovat orë”, tha Rizvanolli

Ajo tha se çështja e çmimit të energjisë elektrike nuk është dëshirë e dikujt.

“Ky proces nuk do të varet nga sa zëshëm themi jo apo kush thotë jo. Nëse mund të ndikojmë në këtë proces, kjo është duke u bazuar në analiza objektive të faktorëve objektivë. Prandaj, edhe komentet tona i kemi bazuar në analiza të trendeve të sektorit, ku kemi treguar se aty ku mund të bëhet ulje e të hyrave të lejuara dhe rrjedhimisht edhe ulje e rritjes së tarifave. Mirëpo, duhet të jemi të sinqertë me veten dhe me popullatën. Një arsye që na çon te kjo rritje e propozuar për këtë vit, përveç konsumit të vitit të kaluar dhe çmimit të importit të vitit të kaluar, është se gjatë këtij viti do të fillojë modernizimi i termocentralit Kosova B”, tha ajo.

Rizvanolli, ka folur edhe për sulmin në postën në Zveçan. 

“Këto lloj sulmesh nuk do të na ndalin, secili institucion i Qeverisë se Republikës së Kosovës do ta vazhdojë punën, si dhe ndërmarrjet publike në mënyrë që shërbimet të ofrohen për të gjithë qytetarët e Kosovës në të gjithë vendin pavarësisht se mund të ketë sulme të tilla kohë pas kohe dhe nuk do të na ndalin dhe qytetarët atje (në veri) duhet të ndjehen të sigurt dhe të vazhdojnë të shërbehen me këto shërbime që ofrohen”, tha ajo.