Arbëri

Rizvanolli: Opozita s`voton marrëveshjet as për komunat ku vetë qeverisin

Artane Rizvanolli - konferenca

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në transmetuesin publik ka folur për çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, në shumë sfera të zhvillimit të saj, qoftë në atë të energjisë, në ndërmarrjet publike.

Rizvanolli deklaroi se “korrupsioni në dy ndërmarrjet më të mëdha publike në vend, KEK dhe Telekom, tashmë është ndaluar”.

Ajo tha se janë ndaluar keqpërdorimet dhe se kjo është e dukshme.

“Mendoj se një pjesë e sulmeve që vijnë edhe nga opozita edhe nga biznese të ndryshme, vijnë pikërisht për këtë aspekt”, tha Rizvanolli në “RTK Prime”.

Sipas saj, në debatin e zhvilluar në KEK, ka pyetur se përse disa nga deputetët e opozitës, gjatë këtyre dy viteve, më shumë kanë folur për tenderë, se kush e ka fituar e kush nuk e ka fituar, sesa që flasin për politikat.

Ministrja Rizvanolli deklaroi se opozita nuk voton marrëveshje ndërkombëtare që janë në interes të të gjithë qytetarëve, e të cilat sipas saj, ka projekte ku në ato komuna drejton opozita.

“Por zgjedhin në seanca për të diskutuar çështje që janë të drejtësisë”, tha ministrja.

Ajo u shpreh se nëse ka korrupsion ose keqpërdorim, absolutisht duhet të hetohet e trajtohet edhe ata që janë përgjegjës, duhet lënë drejtësisë.

Ministrja Rizvanolli deklaroi se në asnjë moment, askush nga LVV nuk do të mbrojë dikë. E sa për Telekom, tha se ka pasur ristrukturim.

“Duhet ta themi hapur se për një kohë të gjatë, këto ndërmarrje janë shfrytëzuar”, tha ajo. “Edhe për të punësuar militantë e familjarë e edhe për kontrata të dëmshme e qira e marketing”.

Rizvanolli deklaroi në vitin 2016, Telekomi i Kosovës, 4 milionë euro i ka dhënë për marketing.

“Në vitin 2022, Telekomi i ka dhënë vetëm 75 mijë euro për marketing”, tha ajo.

Ajo u shpreh se duhet sqaruar se ministrat, “për këto dy vjet e gjysmë, në asnjë konkurs nuk kanë ndërhyrë”.

Duke iu referuar një konkursi për punësim në KEK, të anuluar për dyshime për manipulim e ndërhyrje, rast që ka ndodhur rreth një vit më parë, ministrja Rizvanolli tha se është folur për ndërhyrje të individëve të caktuar.

“Konkursi është anuluar në tërësi dhe rishpallur, e edhe kjo çështje është dërguar në hetuesi, por është e pajustifikueshme të thuhet se LVV ka ndërhyrë”.

Minstrja Rizvanolli foli edhe për ndërmarrjet publike, që janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës e që i mbikëqyrë Ministria e Ekonomisë.

Ajo tha se në vitin 2020, ato kanë pasur humbje 3 milionë euro, ndërsa më 2021, këto ndërmarrje publike kanë kaluar në 22 milionë euro në fitim.

Sipas ministres, të njëjta ndërmarrje, më 2022 kanë pasur 104 milionë euro fitim, e ku një pjesë të suksesit ajo ia atribuoi performancës së KEK-ut.

“Më 2020 në KEK, humbjet kanë qenë 27 milionë euro e më vonë ato janë zvogëluar në 18 milionë euro në vitin 2021”, tha ministrja.

Më tej ajo theksoi se më 2022, humbjet kanë rënë në 3 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe ndërmarrjet si Trepça, Telekomi, etj.

Rizvanolli, ndërkohë vuri në dukje se ndërmarrjet publike janë për t’u shërbyer qytetarëve, bizneseve të vendit, si dhe për të qenë shembull i qeverisjes dhe në të gjitha ndërmarrjet ka pasur përmirësime të mëdha.

Rizvanolli: Sinjali “Vala” deri në Bërnjak e Jarinjë

Ministrja Artane Rizvanoilli deklaroi se cilësia e shërbimeve të ndërmarrjeve publike po përmirësohet.

“Tani jemi në fazën kur këto ndryshime do të shihen në masë më të madhe”, tha ministrja në intervistë për emisionin “RTK Prime”.

Ajo u shpreh se nëse flitet për Telekomin e Kosovës, nuk ka pasur kurrfarë investimesh që nga viti 2016.

Ministrja u shpreh se teknologjia ndryshon shpejt e investime aty nuk ka pasur.

“Falë punës e inxhinierëve në Telekom, ndaj të cilëve jam shumë falënderues, operatori Vala funksionin kështu siç funksionon”, u shpreh ajo, duke shtuar se tashmë është kontraktuar teknologjia e re e ku janë kontraktuar antena të reja në Gjilan e Ferizaj.

Rizvanolli u shpreh se do të ndërrohen antenat edhe në zona të tjera si Gollak, Dukagjin e anës së Drinit të Bardhë, për të ndryshuar teknologjinë 3G me atë 4G.

Më tej, ministrja tha se tanimë janë mbuluar akset rrugore me sinjal të Valës, në drejtim të pikave kufitare Bërnjak e Jarinjë.

“Telekomi është duke blerë pajisje për të mbuluar tërë këtë pjesë të Kosovës”, tha ministrja. “Deri në fund të këtij viti, operatori Vala do të jetë i gatshëm për teknologjinë 5G”.

Ajo më tej tha se do të kalohet në kodin +383 e ku do të kursehen 3 milionë euro në vit.”Ky investim është dashur të bëhet para disa vitesh, por nuk është bërë sepse ka pasur qëllime të tjera”.

Rizvanolli: Rrjeti i ngrohjes do të zgjerohet edhe në 8 komuna

Ministrja Rizvanolli deklaroi se aktualisht është duke u kryer studimi i fizibilitetit për ngrohje qendrore në 8 komuna të Kosovës, të cilat nuk kanë ngrohje të tillë.

Në këtë rast, ajo tha se përveç komunave të mëdha, përfshihen edhe disa komuna më të vogla si Drenasi e Obiliqi.

Ministrja tha se janë edhe dy projekte të tjera të ngrohjes qendrore në Prishtinë, për t'i zgjeruar ose dyfishuar nga zgjerimi i prodhimit të energjisë elektrike nga “Kosova B”.

Ajo tha se kjo shkon paralel me zgjerimin e rrjetit në qytet dhe nga ana tjetër shtimin edhe të 50 MgW për energji termike nga sistemi solar e ku marrëveshja është nënshkruar e po pret ratifikim në Kuvend.

Rizvanolli tha se përgjatë muajve e vitit të fundit ka pasur shumë zhvillime.

“Në dy muajt e fundit kemi inauguruar punimet në parkun e parë solar prej 150 MgW në Bec të Gjakovës, që është investim gjermano-spanjoll e disa vende të tjera që do të ndërtoj Simens Energy”, tha Rizvanolli.

Ajo tha se është përuruar edhe impianti i parë me biogaz, që është një investitor shqiptar i Kosovës me disa kompani nga jashtë.

Ministrja tha se tanimë investimet private po vijnë e do të përkrahen.

Rizvanolli: Strategjia e Energjisë, vizion për energji të pavarur

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vuri theksin më shumë në fushën e energjetikës, që gjatë sezonit të dimrit ka pasur probleme të theksuara në furnizim, duke premtuar në realizimin e projekteve, si dhe strategji që çojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Kështu, ministrja Rizvanolli përmendi strategjinë energjetike, e cila kohëve të fundit është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Strategjia e Energjisë 2022-2031, që tanimë është miratuar në Kuvendin e Kosovës është një strategji që ka një vizion të qartë drejt një sigurie energjetike, pavarësisë energjetike, por edhe në energjinë më të pastër, të bazuar më shumë në burime të ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht ato të erës e ato solare”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli bëri të ditur se për energjetikën ka vizituar edhe qendrat e Kosovës, ku është konsultuar edhe me publikun, si dhe me OJQ-të, por edhe me shtresa të tjera të shoqërisë, akademikë, deputetë, etj.

“Mund të them se ka një konsensus të gjerë lidhur me atë se ku duam të shkojmë e gjithashtu edhe për objektivat strategjike të Strategjisë”, vuri në dukje ministrja Rizvanolli në “RTK Prime”.

Ndërkaq, për krizën energjetike në dimrin e kaluar, ministrja Rizvanolli tha se është tejkaluar suksesshëm, falë edhe qytetarëve tanë, të cilët kanë mirëkuptuar situatën dhe kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit në kursimin e energjisë elektrike.

Rizvanolli shtoi se në kohën kur po bëjmë politikbërjen nuk mund të injorojmë trendet globale dhe strategjia jonë e energjisë, nga njëra anë i merr parasysh ato që i kemi si pasuri natyrore, por me këmbë në tokë shikon kah e ardhmja.